Konsumatorët në Kosovë po mashtrohen, shteti nuk po përmbush obligimet kushtetuese

Dje u shënua Dita Botërore e Konsumatorit, e kjo ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve.

Lajme

16/03/2017 08:06

Mbrojtja e konsumatorëve ka të bëjë me ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë  si dhe me mbrojtjen e tyre nga çdo praktikë abuzive e tregtarëve.

Kryetari i Organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku thotë se mashtrimet me konsumatorë në Kosovë ende vazhdojnë, por megjithatë ai thotë se janë raste të paqëllimshme dhe se kërkohet një vetëdijesim më i madh.

Por megjithatë, për këtë problem ai fajëson institucionet shtetërore, duke thënë që është obligim kushtetues mbrojtja e konsumatorëve.

“Të drejtat e konsumatorëve në Kosovë janë në raport shumë të drejtë me nivelin e zbatueshmërisë së ligjeve. Nëse kemi parasysh se ligjet zbatohen në një shkallë më të ulët se 40%, dmth aq ne kemi kënaqshmëri, në anën tjetër kënaqshmëria e qytetarëve të Kosovës varet edhe nga niveli i informimit dhe vetëdijesimit që është detyrë e shtetit, ndërkaq shteti akoma nuk ka arrit të organizohet që ta përmbush këtë obligim kushtetues”, thotë Kaçaniku për lajmi.net.

Sipas Kaçanikut në këtë raport ndikon edhe niveli civilizues i gjithë atyre që ofrojnë prodhime mallrash në tregun e Kosovës, edhe pse pohon se ka filluar të ketë përmirësime.

“Përmirësime ka, por kemi akoma shumë punë për të bërë, e për t’i ofruar konsumatorëve kënaqësi e jo probleme”.

E kur ai u pyet se a vazhdojnë mashtrimet e manipulimet në raport me konsumatorët ai tha se është në nivel të dukshëm.

“Konsumatorët po mashtrohen shumë, kemi mashtrime të shumta të dukshme, edhe pse disa janë të rastësishme dhe ne pretendojmë se janë të paqëllimshme. Na duhet më shumë vetëdijesim por sigurisht edhe zbatueshmëria e ligjit që të jetë në nivel të dinjitetshëm”.

Megjithatë, problemi tjetër në raport me konsumatorët është përmbajtja e produktit në gjuhën e kuptueshme, në këtë rast në gjuhën shqipe, por që tek ne nuk rezulton.

Një numër i madh i konsumatorëve has në probleme për arsye se nuk arrijnë ta kuptojnë në gjuhën që ofrohet, e për këtë Kaçaniku thotë se duhet kërkuar përgjegjësi nga doganat, inspeksionet dhe institucionet përkatëse.

“Ligji për mbrojtjen e konsumatorit i përcakton obligimet edhe të prodhuesit edhe importuesit, distributorit dhe tregtarit, që produktet që i ofrohen në treg qytetarëve të Kosovës, e në veçanti farmacive, detyrimisht duhet të jenë në gjuhën e kuptueshme për konsumator, gjë që tek ne nuk ndodh”.

Edhe pse ai thotë se si organizatë kanë kërkuar vazhdimisht që kjo gjë të përmirësohet, dhe që përmbajtja tu ofrohet konsumatorëve në gjuhën shqipe kjo nuk po ndodh.

“Duhet të kërkojmë përgjegjësi prej doganave, inspeksioneve dhe institucioneve. Ata duhet ta kuptojnë që ne si organizatë “Konsumatori”, nuk e kemi obligim këtë dhe jo vetëm ne duhet ta kemi parasysh”. /Lajmi.net/