Konstituimi i Kuvendit, në pritje të votave për Qeverinë

Partitë politike po krijojnë vonesa të qëllimshme në procesin e formimit të institucioneve të reja të Kosovës, të dala nga zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, thonë njohës të zhvillimeve politike.

Lajme

20/07/2017 16:12

Përfaqësues nga shoqëria civile thonë se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare, tani u mbetet partive politike që të mendojnë në formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

Por, Valmir Ismajli, analist nga organizata joqeveritare “Demokraci Plus”, thotë për Radion Evropa e Lirë se aktualisht problemi dhe vonesa për formimin e Qeverisë qëndron pikërisht te partitë politike të cilat me çdo kusht, sipas tij, duan të jenë pjesë e pushtetit.

“Pas certifikimit të rezultateve, më nuk ka asnjë pengesë ligjore për konstituimin e institucioneve dhe do të ishte e rrugës që Presidenti i vendit sa më shpejt ta thërras seancën konstituive dhe mos të thërras takime të tilla të panevojshëm, si ai i së hënës. Ai duhet të thërras seancën konstituive dhe t’ia jap rastin e parë koalicionit PAN për formimin e Qeverisë. Në rast se ky koalicioni nuk do t’i ketë votat, atëherë normalisht mundësia e dytë duhet i jepet Lëvizjes Vetëvendosje”, thotë Ismajli.

Me veprimet e tij, nënvizon Ismajli, një lloj vonese po krijon edhe vet Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili sipas tij, po vonon me procedimin për thirrjen e seancës së parë.

“Një rol apo një anshmëri është duke pasur edhe Presidenti i vendit, i cili është duke krijuar një lloj vakuumi duke mos e thirrur mbledhjen konstituive të Kuvendit dhe duke i dhënë mundësi koalicionit PAN të bëj presion ose edhe pazare me subjektet tjera politike për arritjen e numrave të nevojshëm për formimin e Qeverisë. Do të thotë, nuk duhet të kemi një situatë të tillë ku një subjekt politik me çdo kusht tenton ta bëj Qeverinë”, shton tutje Ismajli.

Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve, nisma fillestare për formimin e Qeverisë i takon koalicionit PAN, që përbëhet nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma. Kandidati këtij koalicioni për postin e kryeministrit, është lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Analisti i Institutit Demokratik të Kosovës, Albert Krasniqi tha për Radion Evropa e Lirë se nga ajo që vërehet, vonesat në krijimin e institucioneve, janë pasojë e mungesës së votave nga koalicioni fitues i zgjedhjeve.

“Deri me tani, përkundër deklarimeve që ka pasur prej koalicionit PAN, po duket që nuk ka mundësi që ta formojë një shumicë parlamentare për ta bërë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe më pastaj dhe të Qeverisë. Koha prej 30 ditëve, sa është maksimumi që mund të pritet për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit, po tentohet të shfrytëzohet për të arritur marrëveshje, qoftë me deputetë veç e veç, apo me subjekte politike që kanë garuar në zgjedhje, si pjesë e koalicioneve zgjedhore”, tha Krasniqi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se ka marrë konfirmimin nga koalicioni fitues i zgjedhjeve (koalicioni PAN) dhe mandatari për kryeministër (Ramush Haradinaj), se Qeveria e ardhshme e Kosovës do të formohet pa vonesa.

Por, Albert Krasniqi mendon se koalicioni PAN nuk e ka numrin e mjaftueshëm të votave. Sipas tij, tani janë paraqitur vështirësi në krijimin e koalicioneve pas zgjedhore.

“Kemi dyshime që numrat kanë mund të arrihen. Pra, nuk ka deputet që kalon në kuadër të koalicionit PAN. Përndryshe, nuk i kisha parë të nevojshme as këto takime të cilat po i thërret Presidenti”, tha Krasniqi.

Ndryshe, partitë e koalicionit LAA, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa kanë rikonfirmuar se nuk kanë lidhur asnjë marrëveshje, qoftë si parti politike apo si deputetë veç e veç, me ndonjë prej subjekteve politike që synon formimin e Qeverisë së ardhshme.

Krerët dhe përfaqësuesit e këtyre partive kanë zhvilluar të enjten një takim dhe më pas kanë demantuar se është arritur ndonjë marrëveshje me koalicionin PAN.