Konjufca: LDK e PDK e kanë bërë Kuvendin të pa ndjeshëm ndaj interesave kombëtare (Video)

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se ndihen të indinjuar me veprimin e dy partive në koalicion qeverisës PDK-LDK, të cilat nuk votuan në seancën e sotme të Kuvendit diskutimin për situatën në Kumanovë.

Lajme

14/05/2015 13:27

Konjufca, duke akuzuar partitë në pushtet për indiferencë ndaj zhvillimeve në Maqedoni, ka thënë se institucionet e vendit pamundësuan edhe angazhimin e vetëm për këtë çështje, e që sipas tij, do të ishte diskutimi në një seancë në Kuvend.

“Më e pakta që do të mund të bënim ne si institucione të Kosovës do ishte që të ia kushtonim një seancë të jashtëzakonshme gjendjes atje, pasi ajo që kemi parë është e tmerrshme, dhe shumë njerëz atje janë të arrestuar të cilët po gjykohen me prapavija politike”, është shprehur ai.

Arsyetimet e partnerëve në Qeveri se nuk kanë informacione të hollësishme për të  diskutuar se çfarë ka ndodhur në Kumanovë, i pari i ligjvënësve të VV-së i ka quajtur kundërthënëse.

Ai ka thënë se ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, cili ka deklaruar se ka informacione se çfarë ka ndodhur në Kumanovë, është dashur ta sqaroj këtë para deputetëve.

“Ne në këtë seancë kemi menduar që t’i kërkojmë llogari Skënder Hysenit, për ta sqaruar deklaratën që e ai e ka informacionin e nevojshëm, por që nuk dëshiron ta ndaj me publikun. Kjo sjellje është e papranueshme për një zyrtarë qeveritar”, është shprehur Konjufca.

Kurse sjelljen e Adem Grabovcit, i cili të martën ka deklaruar se ndaj qytetarëve në Kumanovë, shteti i Maqedonisë ka bërë masakër, e sot ishte kundër debatit në Kuvend, me arsyetimin se nuk informacione, Konjufca e ka quajtur dyfytyrësi.

Ai po ashtu ka akuzuar partneret në koalicionin qeverisës se Kuvendin e Kosovës, e kanë kthyer në institucion indiferent ndaj interesave kombëtare.

“Mazhoranca LDK-PDK, e ka kthyer institucionin e Kuvendit të Kosovës në një institucion të pa ndjeshëm ndaj interesave tona kombëtare, këta Kuvendin e kanë kthyer në një institucion që është indiferent me atë se çfarë është ndodh në qytetet shqiptare”, ka thënë Konjufca.

Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes ka propozuar sot që në Kuvend të diskutohet për situatën në Kumanovë, por ky propozim nuk mori votat e mjaftueshme për të hyrë si rend dite.

YouTube player