Konfirmohet aktgjykimi për trazirat në veri në vitin 2008

Gjykata e Apelit të Kosovës ka konfirmuar aktgjykimin e shkallës së parë në rastin e gjashtë banorëve serbë të veriut të Mitrovicës për trazirat e marsit të vitit 2008, që kanë ndodhur afër Gjykatës në veri të këtij qyteti, si dhe sulmit ndaj personelit të KB-ve.

Lajme

08/09/2014 17:22

Kështu ka bërë të ditur të hënën para gazetarëve në veri të Mitrovicës avokati i njërit nga të akuzuarit, Dejan Vasiq.

Sipas tij, të akuzuarve Marjan Ilinçiq i është vërtetuar dënimi me burg prej 1 viti e 10 muajsh, Dragan Millojeviqit 1 vit e 3 muaj, dhe Zoran Çaviqit i është vërtetuar dënimi me kusht prej 9 muajsh për periudhën njëvjeçare, ndërsa janë liruar Avni Krasniqi, Miodrag Raliq dhe Nebojsha Joviq.

Ndryshe, gjatë trazirave të marsit 2008 rreth marrjes së kontrollit të gjykatave në veri të Mitrovicës, ishte vrarë një polic ukrainas, ishin lënduar më shumë se 60 policë të UNMIK-ut, 24 ushtarë të KFOR-it, si dhe rreth 100 banorë serbë.