Komunat zvarrisin vlerësimin e dëmeve nga zjarret

Në Mitrovicë, Vushtrri dhe në Drenas zjarret e korrikut dhe të gushtit kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha të pyjeve, të arave dhe të kullosave, madje në Vushtrri dhe në Mitrovicë edhe objektet shkollore dhe hoteliere. Ndonëse dëmet vlerësohen të jenë milionëshe komunat ende nuk kanë dalë me raportet e vlerësimit, në bazë të të cilave MBPZHR-ja do ta bëjë kompensimin.

Lajme

16/09/2017 08:33

Temperaturat tropikale që kanë dominuar në korrik dhe në gusht të këtij viti në gjithë vendin kanë shkrumbuar sipërfaqe të tëra të pyjeve, kullosave dhe arave të komunave Mitrovicë, Vushtrri dhe Drenas.

Madje janë djegur edhe objekte shkollore (në Mitrovicë) dhe objekte hoteliere (në Vushtrri). Por, megjithëse dëmet vlerësohen të jenë milionëshe, Komuna e Mitrovicës, ajo e Vushtrrisë dhe Komuna e Drenasit ende nuk kanë vlerësuar dëmet.

Zyrtarët komunalë të këtyre komunave i kanë thënë “Zërit”, të premten, se kanë formuar komisionet që vlerësojnë dëmet nga fatkeqësitë natyrore, por që ato ende nuk kanë bërë vlerësimin e dëmeve.

Mitrovica e Jugut dhe Mitrovica e Veriut janë përballur me disa vatra zjarresh, që përveç se kishin përfshirë mbi 100 hektarë të pyjeve, kullosave dhe arave, kishin rrezikuar edhe shtëpitë, sidomos në rajonin e Rekës së Keqe dhe në “Cernushë” në veri të Mitrovicës, si dhe në vetë qytetin e Mitrovicës, në lagjen “Bair”.