Kompanitë austriake i kërkojnë kushte Qeverisë për të investuar në Kosovë

Në një anketë të bërë nga Oda Ekonomike e Austrisë për bizneset austriake aktive në Kosovë, kanë dalë se gjysma e tyre e konsiderojnë situatën ekonomike jo të mirë. Por, shpresojnë në përmirësim brenda këtij viti.

Lajme

02/04/2015 13:09

“Të gjeturat më të rëndësishme të kësaj ankete, në pyetjen se çfarë dëshirojnë ato nga Qeveria drejtuar  kryeministrit Isa Mustafa, kompanitë austriake dëshirojnë më shumë siguri ligjore dhe mbrojtje të investimeve, luftë kundër korrupsionit dhe stabilitet politik”.

Kështu ka thënë Gerhard Shlater, kryetar i Odës Ekonomike në Maqedoni, por që monitoron edhe Kosovën dhe Shqipërinë.

Sipas tij, divergjencat më të mëdha ndërmjet rëndësisë dhe satisfaksionit i përkasin faktorëve si: lufta kundër korrupsionit, pagesat e drejta dhe kualiteti i punëtorëve lokalë.

“Ka edhe faktorë me të cilët kompanitë austriake janë të kënaqur. Për shembull, procesi i shpejtë i lejeve, fleksibiliteti i ligjit për investime. Pastaj, janë të kënaqur edhe me doganën e administratën dhe kualitetin e furnitorëve lokalë”, ka thënë përfaqësuesi i Odës Austriake.

Sa i përket ankesave konkrete të kompanive austriake për klimën biznesore në Kosovë, Gerhard ka thënë se ato më së shpeshti janë ankuar në zyrën e tij për parregullësitë e tendërëve.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, përmendi një rast ku një kompani austriake nuk ka mundur ta gjejë veten në tregun e Kosovës për shkak të parregullsive të shumta është detyruar të tërhiqet nga tregu.

Gërxhaliu tha se Austria është një ndër investitorët më të mëdhenj në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe po ashtu me trend rritës në Serbi. Ndërsa me Kosovën është një bashkëpunim më i dobët në krahasim me këto shtete, gjë që krijon edhe pakënaqësi tek pala kosovare.

YouTube player