Kompani holandeze duan të investojnë në Kosovë

Ambasadori i Holandës në Prishtinë, Robert Bosch, ka bërë të ditur se kompani të shtetit të tij, po shprehin interesim për të investuar në Kosovë.

Lajme

27/02/2015 15:43

Bosch këto komente i bëri gjatë një takimi që pati me ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ku u njoftua edhe me prioritetet strategjike të të kësaj ministrie.

Ministrja Bajrami, siç transmeton QIK-u, ka vlerësuar rolin e Holandës për progresin e gjithanshëm në Kosovë dhe ka theksuar gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të thelluar më tej bashkëpunimin ekonomik. Po ashtu, ministrja Bajrami e informoi ambasadorin Bosch me angazhimet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për përkrahjen në zhvillimin e sektorit privat, përmirësimin e klimës së biznesit, avancimin e politikave tregtare, ndryshimet në politikat fiskale dhe inkurajimin e afaristëve të huaj, përfshirë investitorët holandezë për të investuar në Kosovë.

Ambasadori holandez, Robert Bosch, i uroi ministres Bajrami detyrën e re dhe ia konfirmoi vazhdimin e përkrahjes së shtetit të tij për Kosovën. Ai shprehu interesimin që marrëdhëniet tregtare në mes tё dy vendeve tё intensifikohen edhe më tej. Ambasadori Bosch e informoi Ministren Bajrami për interesimin e investitorëve holandezë për të investuar në Kosovë dhe theksoi rëndësinë e përmirësimit të klimës së biznesit këtu, luftimin e ekonomisë joformale dhe korrupsionit si parakushte për tërheqjen e investimeve të jashtme në Kosovë.