Kokainë me vlerë 2,5 mln euro në makinë, pranga 3 shqiptarëve

Tre shqiptarë, anëtarë të një bande trafikantësh droge, u arrestuan nga policia e qytetit të Breshias gjatë ditës së sotme.

Lajme

13/04/2016 16:22

Të arrestuarit janë: K.A 28 vjeç, L.S 26-vjeç e D,G 44-vjeç, në zotërim të të cilëve u gjetën 26 kg kokainë e cilësisë mjaft të pastër me vlerë tregu 2.5 milionë euro.

Policia e Breshias i ka arrestuar shqiptarët ndërsa po hynin në një garazh ku ishte parkuar një makinë “Audi Q5”, nën sediljet e së cilës janë gjetur të fshehura 20 pako kokainë e cilësisë mjaft të lartë e me peshë rreth 23 kg.

Në banesën e shqiptarit K.A, financierët e Breshias kanë gjetur dhe 3 kg të tjera kokainë, materiale për konfeksionimin e drogës si dhe një pistoletë e tipit “Glock 17” me 14 fishekë. Ndërsa në banesën e shqiptarit D.G 44-vjeç janë gjetur 3500 euro disa gramë hashash e marijuanë si dhe disa aparate celulari.

Ndaj 3 shqiptarëve është ekzekutuar urdhri i arrestit me burg me akuzën e trafikut të drogës e janë shoqëruar në qendrën e vuajtjes së dënimit në Canton Mombello. Shqiptari K.A 28 vjeç akuzohet gjithashtu dhe për mbajte arme pa leje.