Kocijançiç: Bashkimi Evropian me shqetësim e ndjek situatën në Maqedoni

Bashkimi Evropian çdo ditë punon dhe realizon kontakte dhe përmes Delegacionit të saj në Shkup, si dhe përmes selisë së Komisionit evropian në Bruksel me partitë politike nga Maqedonia, me qëllim të zgjidhjes së gjendjes së tendosur në Republikën e Maqedonisë pas vendimit të presidentit Gjorge Ivanov për t’i falur të gjithë personat e prekur nga skandali me përgjimet.

Lajme

14/04/2016 16:52

Siç lajmëron korrespondenti i agjencisë MIA nga Bruskeli, këtë në konferencën e sotme për shtyp në Komisionin Evropian e konfirmoi zëdhënësja Maja Kocijançiç, e cila megjithatë nuk konfirmoi nëse është i mundur një takim i ri liderësh në Bruksel apo në Shkup, ku sërish do të ndërmjetësonte edhe eurokomisari për negociata për zgjerim, Johanes Han.

“Ne jemi shumë mirë të njoftuar dhe jemi seriozisht të shqetësuar me vendimin e presidentit Ivanov për të falur një numër të madh politikanësh dhe personash zyrtar të cilët ishin lëndë e hetimeve kriminalistike.

Ky vendim rrezikon të prodhojë klimë të padënueshmërisë, e rrezikon sundimin e së drejtës dhe vitet e investuara në përpjekjet në vend dhe nga komuniteti ndërkombëtar dhe mund ta përkeqësojë krizën ekzistuese politike”, tha Kocijançiç.

Sipas zëdhënëses së KE-së, vendimi i presidentit maqedonas “e minon edhe punën e rëndësishme të Prokurores speciale dhe ekipit të saj që janë vendosur nga Parlamenti si pjesë e marrëveshjes së Përzhinos për t’i hetuar çështjet serioze të ngritura vitin e kaluar”.

“Puna e prokurores speciale duhet të vazhdojë dhe siç thamë gjatë ditëve të kaluara, ky vendim e rrezikon edhe të ardhmen euroatlantike të vendit. Sido që të jetë, Komisioni Evropian, siç patë nga dy reagimet e përfaqësueses së lartë dhe nënkryetarit të KE-së (Federika Mogerini) dhe komisarit Han, u bën thirrje të gjitha partive politike dhe të gjithë të përfshirëve të sigurojnë që procesi të lëvizë përpara. Thoni se marrëveshja e Përzhinos është e vdekur, por ne besojmë se ende ka kohë për kthim në tryezën negociuese.