Koci: Individë përreth Kryeministrit s’po kanë guxim ta pranojnë se kanë gabuar për Demarkacionin

Avokati Arianit Koci thotë se e vetmja çështje ku ka pasur mospajtime me kryeministrin Ramush Haradinaj ishte pikërisht Demarkacioni. Thotë se qëndrimin e tij ia kishte thënë muaj më parë e të cilin nuk e kishte pritur aq mirë ai.

Lajme

14/11/2017 18:48

 

Koci thotë se edhe tash qëndrimet e tij tashmë po gjejnë mbështetje nga të gjithë ata që e kishin kundërshtuar më herët e që tash nuk po kanë guxim të ia thonë liderit të tyre.

Postimi i plotë i Kocit:

E para dhe e vetmja herë që nuk jam pajtuar për një çështje me Ramushin, ka qenë demarkacioni.

Me vite të tëra, jemi kuptuar edhe pa folur. Mendimet dhe pikpamjet i kemi pasur në unison.

Ka pasur momente kur e kemi plotësuar njëri – tjetrin, me ide dhe qëndrime. Kam qenë i relaksuar në raport me Ramushin, e njejtë edhe ai me mua, për shkak se që në fillim të shoqërimit tonë e ka parë që nuk kam ambicie politike. Shpesh edhe ia kam thënë.

Në komunikim me miqtë, me ata që vërtetë i konsideroj miq, nuk taktizoj e as nuk tentoj që idenë time ta përçoj me rrotlla. E them troç.

Kam besuar që miku i vërtetë ta thotë atë që e mendon, e jo atë që ty të pëlqen!Liderët, zakonisht bëjnë gabim kur dëgjojnë vetëm atë çka kanë dëshirë të dëgjojnë. E këtë ia thonë polltronët – kryesisht!

Reagimi i Ramushit, nëntë muaj më parë, kur i kam thënë mendimin tim për demarkacionin, me ka habitur si asnjëherë më parë.

Më kanë habitur disa individ prej rrethit të tij, që nuk janë ndalur duke folur kundër meje. Tash po kuptoj që të gjithë gradualisht po e ndrrojnë qëndrimin – po nuk po kanë guxim t’ia thënë liderit të tyre!

Sidoqoftë, mendimin nuk e kam krijuar pa menduar dhe analizuar mirë situatën.

Natyrisht, vazhdoj ta kem mik Ramushin, edhe pse agjenda e tij e ngjeshur, tash thuajse i ka ndërprerë takimet tona.Për më tepër, vazhdoj ta respektoj – si mik e si njeri të drejtë e të fjalës, e si një prej politikanëve më energjik e më të ndershëm që kemi! Sidoqoftē, me kalimin e kohës, çdo ditë e më shumë, po bindem se e kam pasur mirë.Ashtu sç e ka mirë: SHBA, NATO, BE, OKB dhe KE.