Klajda Gjosha: Ikja e migrantëve nga Kosova, pasojë e mos liberalizimit

Ministrja e Integrimit në qeverinë shqiptare, Klajda Gjosha në një intervistë për KosovaPress ka thënë se eksodi i shqiptarëve të Kosovës është pasojë e mos dhënies së liberalizimit të vizave.

Lajme

15/02/2015 14:32

Gjosha në këtë intervistë ka komentuar edhe protestat e dhunshme në Kosovë, sulmet terroriste, tolerancën fetare që karakterizon shqiptarët, dhe mbështetjen që po ofron Shqipëria në avancimin e shtetit të Kosovës në proceset integruese.

Sipas Gjoshës nëpërmjet statusit të vendit kandidat Shqipëria ka krijuar një imazh tjetër në botë, dhe kjo do të thotë dhe do të përkthehet në më shumë investime të huaja kundrejt vendit, kundrejt Shqipërisë.

“Nëpërmjet statusit të vendit kandidat Shqipëria ka krijuar një imazh tjetër në botë, dhe kjo do të thotë dhe do të përkthehet në më shumë investime të huaja në Shqipëri, kurse  çdo investim i huaj për ne do të thotë jo vetëm më shumë të ardhura, por më shumë vende pune. Dhe kur flasim për vendet e punës, këtu është pikërisht marrëdhënia e drejtpërdrejt që shkon deri tek qytetari. Vërtet nuk janë investime që ndodhin sot apo nesër, por në një periudhë afatmesme Shqipëria ka fituar një besueshmëri të jashtëzakonshme të vendeve anëtare që sistemi shqiptar po funksionon dhe mundësia për të ardhur dhe për të investuar në këtë vend është shumë e mirë, mundësitë janë shumë të mira dhe shumë shpejt do të shohim dhe rezultatet e para që vijnë nga statusi i vendit kandidat”, thotë Gjosha.

Ministrja e Integrimit të Shqipërisë ka folur edhe për azilkërkuesit, që edhe Shqipëria ka një numër të konsiderueshëm që po marrin rrugët e Evropës.

As ky vend nuk është më mirë se Kosova, por Gjosha thotë se kanë arritur që përmes disa marrëveshjeve që kanë bërë me Italinë dhe Greqinë të ndalin migrimin.

E një marrëveshje të tillë Shqipëria ka bërë edhe me Anglinë, nga ku azilkërkuesit kthehen në Shqipëri ende pa mbërri në këtë vend.

“Ka pasur një punë shumë të madhe që është bërë mes policisë shqiptare dhe asaj greke; italiane; sepse siç dihet shumica e shqiptarëve që largohen kundrejt vendeve të tjera të BE-së kalojnë nëpërmjet kufirit grek dhe italian. Kështu që forcimi i marrëdhënieve mes policive të vendeve fqinje është thelbësor në ndalimin e të gjithë azilkërkuesve”, thotë Gjosha.

Ministrja e Integrimit krahason kohën kur qytetarët e Kosovës mund të lëvizin lirshëm dikur, e tash në vitin 2015 kosovarët nuk kanë liberalizim të vizave.

Mërzitja nga një dukuri e tillë sipas ministres Gjosha shtyn qytetarët e Kosovës të migrojnë ilegalisht. Sipas saj edhe gjendja ekonomike është njëra prej arsyeve që një numër i madh i qytetarëve nga Kosova po migrojnë.

“Unë besoj se përveç shkakut ekonomik që i shtyn njerëzit gjithmonë të largohen aty ku ata mendojnë se do të përfitojnë një punë më të mirë, një pagë më të mirë, një jetë më të mirë; pjesa tjetër dhe unë e them këtë me plot bindje; është ndoshta dhe mërzitja e madhe e popullit kosovar për mosliberalizimin e vizave. Sepse Kosova është një shtet që ka udhëtuar lirshëm në ato vite kur nuk mendohej që mund të udhëtoje i lirë në Europë, kur Shqipëria nuk e ka pasur këtë mundësi; në dijeninë time qytetarët e Kosovës kanë qenë të lirë për të udhëtuar, dhe sot në 2015-ën ne ende diskutojmë çështjen e vizave për Kosovën”, thotë Gjosha.