Këto janë kompetencat e presidentit

Më 26 shkurt, Kuvendi i Kosovës, zgjodhi presidentin e ri të vendit, Hashim Thaçin.

Lajme

28/02/2016 10:03

Sipas Kushtetutës, nenit 84 për Statusin e Presidentit, kreu i shtetit përfaqëson unitetin e popullit.

Por a e dini se cilat janë kompetencat e presidentit?

Më poshtë mund të lexoni nenin 84 të Kushtetutës mbi Kompetencat e presidentit:

Neni 84 [Kompetencat e Presidentit]

Presidenti i Republikës së Kosovës:

(1) përfaqëson Republikën e Kosovës brenda dhe jashtë;

(2) garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë;

(3) shpall zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe thërret mbledhjen e parë te tij;

(4) nxjerr dekrete në pajtim me këtë Kushtetutë;

(5) shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës;

(6) ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj. Të drejtën e rikthimit të një ligji mund ta shfrytëzojë vetëm një herë;

(7) nënshkruan marrëveshjet ndërkombëtare në pajtim me këtë Kushtetutë;

(8) propozon amendamente për këtë Kushtetutë;

(9) mund të referojë çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese;

(10) udhëheq politikën e jashtme të vendit;

(11) pranon letrat kredenciale të shefave të misioneve diplomatike të akredituar në Republikën e Kosovës;

(12) është Komandant Suprem i Forcave të Sigurisë të Kosovës;

(13) udhëheq Këshillin Konsultativ për Komunitete;

(14) cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit;

(15) emëron dhe shkarkon Kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës;

(16) emëron dhe shkarkon gjyqtarët e Republikës së Kosovës me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës;

(17) emëron dhe shkarkon Kryeprokurorin e Shtetit të Republikës së Kosovës, me propozimin e Këshillit Prokuroial të Kosovës;

(18) emëron dhe shkarkon prokurorët e Republikës së Kosovës, me propozimin të Këshillit Prokurorial të Kosovës;

(19) emëron gjyqtarët për Gjykatën Kushtetuese, me propozimin e Kuvendit;

(20) emëron Komandantin e Forcave të Sigurisë të Kosovës, pas rekomandimit të Kryeministrit;

(21) së bashku me Kryeministrin, emëron Drejtorin, Zëvendësdrejtorin dhe Inspektorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë;

(22) vendos për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, në konsultim me Kryeministrin; (23) mund të kërkojë mbledhje të Këshillit të Sigurisë të Kosovës dhe i kryeson ato në kohën e Gjendjes së Jashtëzakonshme;

(24) vendos për formimin e misioneve diplomatike e konsullare të Republikës së Kosovës, në bazë të konsultimit me Kryeministrin;

(25) emëron dhe shkarkon shefat e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës, me propozimin e Qeverisë;

(26) emëron Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve;

(27) emëron Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës i cili shërben edhe si Drejtor Menaxhues dhe emëron anëtarët e tjerë të Bordit të Bankës;

(28) jep medalje, mirënjohje dhe çmime, në pajtim me ligjin;

(29) shpall falje individuale, në pajtim me ligjin;

(30) së paku një herë në vit i drejtohet Kuvendit të Kosovës përkitazi me fushëveprimtarinë e tij/saj./lajmi.net