Kërkohet unifikimi i kalendarit fetar islam

Kreu i Çështjeve Fetare të Turqisë, Mehmet Gormez, ka kritikuar të shtunën në Stamboll praktikën e vendeve të ndryshme të cilat festojnë festat islame në kohë të ndryshme.

Bota

28/05/2016 23:31

Gormez ka folur për këtë çështje në një konferencë në lidhje me unifikimin e kalendarit fetar islam, ndryshe Hixhri. Ai kritikoi dallimet ekzistuese në vendet islamike, ku kremtimi i fundit të muajit të Ramazanit, ndryshe festa e Bajramit festohet në ditë të ndryshme.

Përfaqësues nga rreth 50 vende, përfshirë Turqinë, Malajzinë, shtetet e Gjirit, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara morën pjesë në këtë konferencë, raporton Anadolu Agency.

Kongresi bëri bashkë astronomë dhe zyrtarë nga vendet islamike në një tentativë për të krijuar një kalendar të unifikuar islam për shënimin e festave dhe riteve fetare.

Zëvendëskryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmus, paralajmëroi për mundësinë e ndarjeve në qoftë se çështja nuk zgjidhet.

“Sot, katër popujt më të mëdhenj të Lindjes së Mesme, turqit, kurdët, arabët dhe persët janë në prag të një divergjence serioze”, tha Kurtulmus. Ai ka shtuar se myslimanët duhet të bëjnë punën e tyre për të eliminuar këtë mosmarrëveshje në botën islame.