KEK-u porosit të mos mërzitemi për dimër

Ndërmarrja publike për prodhimin e energjisë elektrike, KEK ka arritur të përfundojë veprimet përgatitore drejt stabilizimit të prodhimit para dimrit.

 

Lajme

07/08/2014 20:42

Në një komunikatë për opinionin publik, KEK njofton se në Termocentralin Kosova A tashme është aktivizuar njësia A3, e cila është duke prodhuar pa ndonjë problem. Ndërsa në lidhje me dy njësitë tjera aktive të Termocentralit Kosova A ( A4 dhe A5) është finalizuar me sukses dhënia e kontratës për riparimin kapital të tyre.

“Konform kësaj kontrate, brenda afatit prej 4 muajve të gjitha njësitë e Kosovës A do të jenë të gatshme për prodhim optimal dhe të qëndrueshëm. Kjo paraqet zgjidhjen më të shpejt dhe më të lirë të mundshme për dalje nga kriza e paralajmëruar energjetike”, thuhet në komunikatë.

Në Termocentralin Kosova B, i cili është duke prodhuar sipas bilancit të aprovuar vjetor, deri në shtator të këtij viti të dy njësitë e saj do të jenë të gatshme për prodhim me kapacitet të plotë. Si rrjedhim, falë përkushtimit maksimal të punëtorëve në tërë hallkat e veprimit, menaxhimit efikas dhe investimeve të duhura, të gjitha njësitë gjeneruese të KEK-ut do të jenë në dispozicion për punë me kapacitet të plotë para fillimit të dimrit, theksohet në njoftimin e KEK-ut.