KEK-u përfiton gjashtë milionë euro

Qymyri i Kosovës shumë shpejt do të eksportohet në disa nga shtetet e rajonit, kjo sepse kompania “Ex-fis” është shpallur fituese e ankandit të organizuar nga KEK-u për shitjen e qymyrit.

Lajme

03/12/2014 08:43

Kjo kompani ka ofertuar me 10 euro e 25 centë për blerjen e një toni të qymyrit, që ka qenë në lotin e parë. Kurse për lotin e dytë ka ofertuar 10 euro e 34 centë për tonelatë.

Në bazë të njoftimit për dhënie të kontratës, kompania “Ex-fis” do t’i paguajë Korporatës Energjetike të Kosovës 6 milionë e 90 mijë euro, shkruan sot Koha Ditore.

Prej tyre në lotin e parë janë dhënë 3 milionë e 91 mijë euro, kurse në lotin e dytë 2 milionë e 998 mijë euro.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i kompanisë “Ex-fis”, Lumi Muharremi, ka thënë se qymyrin që e kanë blerë nga KEK-u do ta shesin në vendet e rajonit.

“Qymyrin do të tentojmë ta shesim në Greqi, Maqedoni dhe vendet e tjera të rajonit në varëi të kërkesave që marrim.

Ndërkaq, zëdhënësi i KEK-ut, Edmond Nulleshi ka thënë se procesi i shitjes së qymyrit është bërë në procesdurë të rregullt, përmes ankandit publik. Ai tha se në këta ankand janë shitur 510 mijë tonë qymyr, i cili ka qenë i pamundur të ekploatohej nga vet KEK-u.

“Bëhet fjalë për një sasi prej 510 mijë tonësh qymyr. Në këtë hapësirë ekskavatorët e mëdhenj që përdor KEK-u për eksploatim të qymyrit nga aspekti tekniko-teknologjik nuk mund të vihet në përdorim, për shkak të konfiguracionit të ngushtë të terrenit”, ka thënë Nulleshi.