KE pret që Serbia të vazhdojë rrugën evropiane

Komisioni Evropian beson se Serbia, edhe me qeverinë e re, do të vazhdojë rrugën drejt Bashkimit Evropian, ka deklaruar të hënën Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Lajme

25/04/2016 19:14

E pyetur të komentojë zgjedhjet e së dielës në Serbi, Kocijançiq ka thënë se Komisioni Evropian nuk ka dalë ende me deklaratë, sepse pret rezultatet përfundimtare, si dhe vlerësimet dhe rekomandimet e misionit vëzhgues ndërkombëtar.

“Serbia, vitin e kaluar, ka bërë hapa të mëdhenj në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke hapur kapitujt e parë (të negociatave për anëtarësim në BE). Besojmë se edhe me qeverinë e re, ajo do të vazhdojë këtë rrugë”, ka thënë Kocijançiq për gazetarët në Bruksel.

Serbia ka mbajtur të dielën zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Rezultatet paraprake kanë nxjerrë fituese Partinë Përparimtare Serbe të kryeministrit në pushtet, Aleksandar Vuçiq.

Rezultatet kanë treguar se edhe nacionalistët serbë pro-rusë do të futen në parlament, për herë të parë qysh në vitin 2012.