KDI: Demokracia në Kosovë ende e brishtë

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, në Kuvendin e Kosovës mbahet forumi “Demokracia dhe Parandalimi i Konfliktit”.

Lajme

15/09/2017 09:06

Motoja globale e Ditës së Demokracisë këtë vit përqendrohet në nevojën kritike për të forcuar institucionet demokratike, për të promovuar paqe dhe stabilitet, një qasje më të integruar dhe gjithëpërfshirëse me respekt për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.

Eugen Cakolli nga KDI, i ftuar në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, tha se edhe pse kjo ditë shënohet tek ne prej vitit 2007, demokracia në Kosovë qëndron ende e brishtë.

“Shqetësuese në Kosovë qëndron fakti se demokracia fokusohet në parimin e shumicës, duke filluar prej mundësisë së zgjedhjes së qeverisë, që e kemi çdo 4 vite dhe nuk vazhdojmë më me monitorimin e punës së tyre”, tha Cakolli.

Sipas tij, edhe pse procese të ndryshme kanë ndikuar në tkurrjen e të drejtave në vendimmarrje, janë mediat ato që po bëjnë punën e tyre, duke lobuar që kjo të ndryshojë.

Sa i përket aktiviteteve për shënimin e kësaj dite, KDI organizon aktivitete brenda dhe jashtë kuvendit.

“Në kuvend organizohen pritjet e qytetarëve nga disa deputetë të kësaj legjislature, ku qytetarët do të mund të drejtojnë pyetje drejt tyre për gjërat që duan të informohen”, tha Cakolli.

Ndërsa në Prizren, qytetarët do të priten nga ambasadori britanik Ruairi O’Connell. “KDI përkrahë zhvillimin e demokracisë përmes angazhimit të qytetarëve dhe OJQ-ve në procesin e krijimit të politikave, rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike”, përfundoi Cakolli.