Kapet çifti shqiptar që kultivonte lëndë narkotike në Greqi
Dy shqiptarë të moshës 31 vjeç dhe 27 vjeç janë arrestuar nga policia greke për kultivim të lëndëve narkotike.

Lajme
Bashkë me ta u arrestua edhe një shtetas i huaj 27-vjeçar. Sipas mediave greke, shqiptarët janë një burrë dhe një grua, të cilët jetonin në ishullin Kalymnos dhe merreshin me kultivimin e kokainës, heroinës dhe të kanabis sativës.
Të pandehurit transportonin lëndën e parë nga Athina drejt ishullit ku banonin dhe më pas e kultivonin duke nxjerrë përfitime të mëdha ekonomike. Mëngjesin e së mërkurës(dje), 31-vjeçari shqiptar udhëtoi me traget nga porti i Pireut drejt ishullit Kalymnos dhe u prangos në flagrancë nga policia sapo zbriti në tokë.
Ai mbante me vete një çantë, brenda së cilës kishte fshehur mbi 1 kilogram heroinë, kërp të papërpunuar me peshë 1 kg. Gjithashtu atij iu sekuestruan edhe 2 celularë, 11 karta SIM, një laptop, fatura bankare dhe një fletore me shënime me shkrim dore.
Kurse, gjatë kontrollit në banesë në ishull ku jetonte së bashku me gruan shqiptare, u gjetën dhe u sekuestruan 130 gr kokainë, 131 gr heroinë, 678 gr kanabis i papërpunuar, një peshore elektronike, dy celularë dhe 529 Euro.
Gjithashtu, në shtëpinë e shtetasit të huaj u gjetën disa doza kokaine, një filiz kanabisi 20 cm e kultivuar në kopsht, një celular dhe një biçikletë që e përdorte për të shpërndarë drogën.