Kandidatët për deputetë po e thyejnë heshtjen zgjedhore

Kandidati për deputet nga Aleanca Kosova e Re, Amir Ahmeti ndonëse është në dijeni se heshtja parazgjedhore ka nisur qysh në orën 7 të mëngjesit të sotëm, ai ka bërë fushatë përmes rrjetit social Facebook.

Lajme

07/06/2014 23:58

Në llogarinë e tij, Ahmeti ka postuar një fotografi, ku ekspozohet vetë ai bashkë me tre kolegët e tij, Driton Morina, Agron Terziqi dhe Agron Rexhepi. 

Ahmeti ka kërkuar që të votohet ‘Lista Uniteti” siç e ka quajtur ai, por vetëm nga besimtarët mysliman. 

“Mos ti fajësojmë të tjerët … !. Ata që janë hapur kundër parimeve fetare, me ‪dëshirë i votojnë ata të cilët pretendojnë haptas rrëzimin e ‎ISLAMIT në trojet tona .. Andaj edhe ‪ne,me DËSHIR. ti votojmë ata të cilët po ngritën në emër të ISLAMIT.. Mos të harrojmë: Lista UNITETI : Kërkon ‎VOTAT vetëm të ‪‎BESIMTARËVE”, ka shkruar Ahmeti. 

Por kjo edhe pse nuk specifikohet mirë në ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, mund të dënohet me deri në 300 euro gjobë. 

Mulë Desku, kryesues i sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa, ka thënë për KosovaPress se kandidati në fjalë mund të dënohet nga 200 deri në 300 euro gjobë. 

“Nuk është në mënyrë të specifikuar për rrjetet sociale, mirëpo aty thuhet se është e ndaluar bërja e fushatës në çfarëdo mënyre, që lenë të kuptohet edhe për rrjetet sociale”, ka thënë Desku. 

Në nenin 36.1, të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, thuhet kështu: Njëzetekatër orë para hapjes së Qendrave të Votimit për hedhjen e votës, e deri në mbylljen e tyre, subjekteve politike, mbështetëse ose kandidatëve të tyre u ndalohet secili prej veprimeve si më poshtë: 

a). Shpërndarja ose shfaqja në mënyrë tjetër në ndonjërën nga Qendrat e votimit, ose 100 metra brenda hapësirës së të njëjtës, e çfarëdo lloj materiali me qëllim ndikimi tek votuesit; 

b). Bërja e fushatës në çfarëdo mënyre. 

Alma Lama ishte dënuar në zgjedhjet e kaluara me 300 euro vetëm pse mbi foton e saj ishte bërë një etiketim (tag). 

Ndërkohë, edhe pse ka filluar heshtja zgjedhore, disa kandidatë po vazhdojnë të publikojnë mesazhe që thërrasin për ndryshim. I fundit që e ka bërë këtë është kandidati i VV-së, Dardan Sejdiu, duke publikuar një poezi të Nolit, e cila thërret për ndryshime. 

E po ashtu edhe kandidatja për deputete nga LDK-ja, Hykmete Bajrami e ka bërë një gjë të tillë. (KosovaPress)