Kallëzim penal ndaj përfaqësuesit të kompanisë në rastin e vdekjes së 17 vjeçarit, Sëlldin Aliu

Ka kaluar afër gjysmë viti qëkur 17 vjeçari Sëlldin Aliu nga fshati Lubizhdë i Prizrenit, ka humbur jetën tragjikisht në vendin e tij të punës.

Lajme

21/10/2018 14:31

Tragjedia ndaj të miturit ndodhi vetëm dy javë pasi ai filloi punën në fabrikën e stiroporit “Sat Sytro” në fshatin Mushnikovë të Prizrenit, pasi makina për prerjen e stiroporit e tërhoqi atë brenda. Ai ishte djali i vetëm në familjen Aliu dhe kishte filluar punën për ta ndihmuar familjen për shkak të kushteve të rënda ekonomike.

Të kontaktuar nga lajmi.net, Policia e Kosovës për Rajonin e Prizrenit njoftoi se pasi u bë analiza e raporteve nga Inspektorati i Punës, ku u konstatuan shkelje në dispozitat ligjore nga subjekti punues, duke filluar nga marrëdhënia e punës edhe nga siguria e shëndeti në punë, ata kanë ngritur kallëzim penal ndaj personit që drejton kompaninë në fjalë.

“Policia e ka bërë punën e saj. Janë pranuar raportet dhe është bërë kallëzim penal ndaj personit në fjalë. Kallëzimi është dorëzuar në Prokurorinë Themelore”, tha zëdhënësi i Policisë në Prizren, Vesel Gashi.

Ndërsa nga Prokuroria Themelore në Prizren njoftohet se rasti është në fazën e hetimeve.

“Prokuroria Themelore në Prizren -Departamenti i Përgjithshëm, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurit me inicialet A.B., për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka kryer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” nga neni 367 parag. 2 dhe parag. 3 lidhur me paragrafin 7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Andaj, ju njoftojmë se rasti aktualisht është në fazën e hetimeve, dhe se Prokuroria do të veproj konform dispozitave ligjore”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për lajmi.net.

Vlen të theksohet se Ligji i Punës lejon punën tek fëmijët prej 15 dhe 16 vjeç, mirëpo ata kanë drejtë të punojnë vetëm punë të lehta, jo në ambiente të mbyllura si dhe jo më tepër se 30 orë në javë.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës kanë reaguar për rastet e tilla, ku kanë shprehur indinjatë të thellë lidhur me aktualitetin e krijuar të punëtorëve sidomos të sektorit privat, konkretisht me rrezikun e sigurisë dhe shëndetit në punë që po u kanoset çdo ditë punëtoreve në punishtet e tyre. Për rastin e Aliut ata kishin kërkuar përgjegjësi ligjore.

Ndryshe, numri i vdekjeve në vendin e punës ka shënuar një rritje rekorde që nga pas lufta, ku për këtë vit ka arritur mbi 18. E.K. /Lajmi.net/