Kali i Trojës: Militantët e ISIS hyjnë në Evropë të maskuar si refugjatë

Militantët e Shtetit Islamik janë duke planifikuar që të hyjnë në Evropën Perëndimore të maskuar si refugjatë, pohojnë burime të inteligjencës amerikane, të cilët kanë pasur qasje në komunikimin mes udhëheqësve të kalifatit. 

Bota

06/10/2014 16:14

Militantët e kësaj organizate nuk kanë guxim të shfrytëzojnë avionët shkaku i masave të rrepta të sigurisë, dhe do të përdorin tokën si alternativë, i ka thënë një burim gazetës gjermane Bild, transmeton lajmi.net.

Të maskuar si refugjatë sirian, militantët e ISIS do të kalojnë kufirin për në Turqi. Pastaj, duke përdorur pasaporta të rreme, ata do të udhëtojnë më tej në vendet evropiane për të kryer sulme.

“Në pikëpamje të kushteve kaotike në kufirin Siri-Turqi, është gati e pamundur për t’i kapur terroristët e ISIS, në këtë kohë të valës së refugjatëve”, shkruan Bild.

Për shkak se çdo ditë qindra refugjatë kalojnë kufirin siriano-turk, xhihadistët kanë një shans të mirë të mos vihen re në mesin e turmave.

Turqia është përdorur edhe nga xhihadistët që duan të bashkohen me ISIS-in në Siri, pasi ata nuk kanë nevojë për vizë për të arritur atje. Ata shkojnë në “pushime” si turistë dhe pas mbërritjes pothuajse nuk kanë asnjë vështirësi në gjetjen e një mënyre për të kaluar kufirin.

Sipas një prej ekspertëve më të njohur për çështjet e sigurisë në Irak dhe me qasje në shërbimet inteligjente, të paktën 100.000 xhihadistë ishin duke luftuar në radhët e ISIS gjatë muajit gusht.

Ndërsa janë rreth 15,000 luftëtarë të huaj vetëm në Siri, duke përfshirë 2,000 perëndimorë, i ka thënë AFP-së, një zyrtar amerikan i zbulimit. 

Gjermania vazhdon të jetë një nga qëllimet kryesore të ISIS 

Një zyrtar nga Ministria e Brendshme gjermane i ka thënë gazetës se Gjermania ësthë në fokusin e terrorizmit xhihadist, por nuk ka treguar për planifikim të sulmeve konkrete.

Zyrtarë gjermanë të sigurisë thonë se janë rreth 450 ekstremistë myslimanë gjermanë që kanë udhëtuar në drejtim të Sirisë.

Ka qenë e vështirë për t’i zbuluar ata, pasi kur ata janë nisur nga Gjermania për në Siri nuk kanë pasur nevojë për vizë që të udhëtojnë për në Siri, i ka thënë një zyrtar gazetës Jerusalem Post.

Kurse deri tani, nga Siria në Gjermani janë kthyer rreth 150 persona që kanë marrë pjesë në luftën atje. Gjermani tanimë ka filluar procesin e parë gjyqësor ndaj një ish luftëtari të ISIS. Ai është një shqiptar me origjinë nga Kosova. (lajmi.net)