Kadare: Shqipëria ta kryej procesin e dekriminalizimit, e pafalshme nëse nuk bëhet

Nga Gjirokastra ku ka vizituar shtëpinë e lindjes, tashmë të shndërruar në Muze, gjeniu i letrave shqipe Ismail Kadare vlerësoi se klasa politike në Shqipëri duhet t’i përgjigjet kërkesave të popullit, duke e kryer procesin e dekriminalizimit, që e cilësoi të detyrueshme të bëhet.

Lajme

14/05/2016 21:39

Kadare tha se Shqipëria ka çdo mundësi për të ecur përpara dhe është në stadin më kulmor të saj.

Ismail Kadare është rikthyer në shtëpinë e lindjes në Gjirokastër, tashmë të rikonstruktuar, nga ku ka dhënë mesazhe për zhvillimet në Shqipëri.

Kadare e vlerëson dekriminalizimin një proces jetësor për Shqipërinë dhe dështimi i tij për shkrimtarin do të ishte i papranueshëm. Ai e sheh shoqërinë në provë për të detyruar politikën që të dekriminalizohet.

“Procesi i dekriminalizmit është një proces jetësor për Shqipërinë. Do jetë e pafalshme në qoftë se nuk kryhet. Populli shqiptar do tregojë cilësitë e tij më të mira po do detyrojë klasën potitike ta kryejë këtë proçes dhe do tregojë cenet e tij nëse nuk e detyron. Populli ka merita, populli ka cene, do ta shikojmë, është një nje provë, por është e detyrueshme të kryhet”, ka thënë Kadare.