Ka rrezik të shkohet në zgjedhje

Njohësi i proceseve politike, Azem Vllasi, ka vlerësuar se vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja nëse nuk intervenojnë ndërkombëtarët për t’u gjetur një formulë më e mirë.

Lajme

09/07/2014 09:15

Vllasi ka thënë se Kosova nuk do të mund të ketë qeverinë e re deri në vjeshtë, pasi politikanët nuk e kanë shqetësim funksionimin e vendit, por pozicionimin në luftën për pushtet.

Ai ka parashikuar se qysh në seancën e parë të Kuvendit, pritet të ketë probleme lidhur me postin e kryeparlamentarit.

“Mjerisht ka rrezik të shkohet në zgjedhje të reja, nëse nuk intervenojnë dhe nuk ndihmojnë ndërkombëtarët për t’u gjetur një formulë më e mirë, sepse këto blloqe politike kanë hyrë në një rreth vicioz prej të cilit më shumë duket se do të në çojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme sesa që gjejnë një zgjidhje racionale për formimin e qeverisë së re”, ka thënë Vllasi në një intervistë për “Epokën e re”.

Në këtë kontekst ai ka thënë se, sipas të gjitha gjasave, Kosova nuk mund ta ketë qeverinë e re deri në vjeshtë, pasi politikanët nuk e kanë shqetësim funksionimin e Kosovës, por pozicionimin në luftën për pushtet.