Joe Biden viziton Shqipërinë në fund të muajit gusht

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në fund të muajit gusht në Tiranë.

Lajme

02/07/2016 17:53

Pritet që dosja e tij diplomatike të ketë fokus reformën në drejtësi. Mësohet nga burime jo zyrtare, se zëvendëspresidenti Joe Biden pritet të ketë takime me ata që do të mbështesin draftin e reformës në drejtësi, tek i cili ka vënë vulën ambasada amerikane. Vizita e tij do të paraprihet nga takimet që në 10 korrik do të ketë zëvendësndihmës sekretarja amerikane, Viktoria Nuland.

Uashingtoni rrit vëmendjen ndaj Shqipërisë, duke shtuar vizitat e nivelit të lartë në Tiranë.

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, do të jetë zyrtari i tretë i lartë që do të qëndrojë në Tiranë, në një vizitë e cila është parashikuar të mbahet në fund të muajit gusht.

Burimet që konfirmuan vizitën e Biden, thanë se ende nuk është zyrtarizuar agjenda e takimeve, por dosja e tij diplomatike do të ketë fokus reformën në drejtësi.

Vizita e tij përkon me pas 21 korrikun, kur politika në Kuvend do të dëshmojë me votë nëse mbështet reformën në drejtësi, për të cilën SHBA janë investuar përmes misionit OPDAT dhe negociatave të ndërprera të kryediplomatit Donald Lu.

Nevojën e reformës e nënvizoi  në shkurt  në Tiranë edhe sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry,  kur në emër të presidentit Barak Obama garantoi për mbështetje për sundimin e ligjit.

Për partnerin më të rëndësishëm të Shqipërisë, duket se alternativë veç miratimit të ndryshimeve kushtetuese nuk ka.

Shpërndarja në seancë të enjten nga Ambasada amerikane e Kushtetutës së re, ishte një tregues i qartë këtë.