Jevtiq kërkon që arsimi i lartë të jetë edhe në gjuhën serbe, boshnjake dhe rome

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jovetiq është shprehur sot se duhet të gjendet zgjidhje sa i përket arsimimit të lartë për serbët, boshnjakët dhe romët.

Lajme

23/06/2015 18:49

Jovetiq ka theksuar se ka nevojë për zgjidhje të përhershme për këtë situatë, sepse serbët, boshnjakët dhe romët nuk kanë mundësi të arsimit të lartë në gjuhën e tyre.

Këtë diskutim ministri Jovetiq e ka bërë gjatë takimit që ka realizuar me shefen e Këshillit të Evropës në Prishtinë Isabelle Servoz Galluci, me të cilën diskutoi edhe për verifikimin e diplomave.

Përpos kësaj Jovetiq, siç edhe thuhet në komunikatën për media të kësaj ministrie i ka treguar Gallucit edhe për mënyrën se si ministria për Komunitete dhe Kthim zgjidhë dhe si do ti zgjidhë problemet e të zhvendosurve, si dhe se si t’i qasen problemeve kur bëhet fjalë për të drejtat e komuniteteve, duke vënë në dukje se ligjet e Kosovës janë të mira, por problemi është zbatimi i tyre i dobët.

“Çfarë është më e rëndësishme është që të gjithë partnerët të kenë një bashkëpunim shumë të mirë kur është fjala për proceset që janë të rëndësishme për kthim dhe mbijetesë. Bashkëpunimi me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, që është një nga partnerët më të rëndësishëm është kënaqësia e të gjithëve në një nivel të lartë, pasi rezultatet që janë të dukshme vetëm në zbatimin e njërit prej projekteve që ne bëjmë dhe ky është projekt RRK4. Pa mbështetjen e Bashkimit Evropian, punën që Ministria për Komunitete dhe Kthim e kryen do të ishte e vështirë. Përpiqem që punën të cilën e bëjë, ta bëjë në një mënyrë praktike, për shkak se problemet duhet të zgjidhen pa shumë politikë”, citohet të ketë thënë Ministri Jovetiq.

E nga ana tjetër, gjithmonë sipas komunikatës shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë Isabelle Servoz Gallucci, ka theksuar se ajo është e vetëdijshme se Ministria dhe vetë Ministri janë duke bërë punë delikate.

Shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, ka informuar Ministrin Jovetiq se ata janë duke punuar në zhvillimin e projekteve për mbrojtjen e të drejtave të pakicave, por gjithashtu vuri në dukje se njerëzit që jetojnë në Kosovë duhet të gjejnë mënyra për të jetuar së bashku dhe se zbatimi i të drejtave të njeriut është një prioritet.