Jeta e qytetarëve në rrezik

Burim Ramadani i AAK’së thotë se krimi në Kosovë ka marrë përmasa shqetësuese dhe po rrezikon jetën e secilit qytetar. Sipas tij, përgjegjësia qeverisëse nuk ndërlidhet vetëm me privilegjet dhe benefitet e disa njerëzve.

Lajme

08/01/2014 12:42

Sekretari i Përgjithshëm i AAK’së, Burim Ramadani ka reaguar pas lajmit për vrasjen e një 14 vjeçari sot në Prishtinë, në afërsi të shkollës fillore “Emin Duraku”.

Sipas Ramadanit, krimi në Kosovë ka marrë përmasa shqetësuese dhe po rrezikon jetën e secilit qytetar.

Ai thotë se qeveria ka përgjegjësi për të krijuar mjedis të qetë dhe të sigurt në vend.

“Lajmi për vrasjen e një nxënësi 16 vjeçar sot në Prishtinë është dhimbje e madhe jo vetëm për familjen e tij, por për tërë shoqërinë kosovare”.

“Siguria njerëzore në Kosovën e vitit 2014 është në nivel shqetësues. Ky është pasqyrim i vërtetë i situatës në të cilën ndodhet shteti dhe qytetarët e Kosovës”.

“Përgjegjësia qeverisëse nuk ndërlidhet vetëm me privilegjet dhe benefitet e disa njerëzve. Përgjegjësia qeverisëse ndërlidhet plotësisht me obligimin e krijimit të një ambienti të sigurt, të qetë dhe stabil të jetës në Kosovë”.

“Në një vend ku krimi ka arritur në shkallë të lartë, e tashmja nuk është e qëndrueshme dhe e ardhmja është e rrezikuar”.

“Vjedhjet e shtëpive/banesave, veturave, lokaleve afariste, bankave, filialeve të postës, dhuna në shkolla, grabitjet dhe plaçkitjet janë shpeshtuar jashtëzakonisht shumë”.

“Kjo dëshmon për mungesë të sigurisë njerëzore. Kjo dëshmon për mangësi të mëdha në udhëheqjen e sektorit të sigurisë në Kosovë”, ka komentuar Burim Ramadani.