Jemi zotuar për përshpejtim të dialogut!

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, thotë se kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë pajtuar që dialogu në nivelin teknik të përshpejtohet, në mënyrë që disa prej marrëveshjeve të përparojnë më shpejt drejt zbatimit.

Lajme

23/04/2015 07:50

Në një interviststë për Epoka e Re, Ministrja Tahiri ka treguar se gjatë raundit të fundit të bisedimeve, të dy kryeministrat kanë bërë vlerësimin e gjendjes për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

“Takimi mes dy kryeministrave dhe zonjës Mogherini, që ka zgjatur disa orë, ka pasur diskutime që kanë qenë të fokusuara në vlerësimin e gjendjes për zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Pastaj, kishte një zotim të përbashkët të tri palëve, që të përshpejtohen bisedimet në nivelin teknik në mënyrë që çështjet për energjinë dhe telekomin të përparojnë më shpejt drejt zbatimit”.

Ministrja Tahiri ka treguar se në muajin maj do të ketë bisedime intensive në nivelin teknik, në mënyrë që çështja e telekomit dhe ajo e energjisë, të përfundojnë me marrëveshje.

“Gjatë muajit maj do të ketë takime intensive në nivelin teknik për telekomin dhe energjinë në mënyrë që në takimin e radhës mes dy kryeministrave që do të mbahet gjatë majit mund të ketë marrëveshje, sidomos për çështjet që kanë të bëjnë me kondin telefonik dhe aspektet e tjera që lidhen me marrrëveshjen për telekonomin. Po ashtu, përparimet duhet të ndodhin në çështjen e energjisë si dhe do të përpiqm që edhe marrëveshja për sigurimin e automjeteve, e cila është e bllokuar nga Serbia që nga janari të përfundoj”, ka thënë ajo.

Duke folur për raundin e fundit të bisedimeve, Tahiri ka treguar se kryeministri Mustafa, ka kërkuar që të hiqet barrikada mbi lumin Ibër, të zhbëhen strukturat paralele, si dhe që Serbia të mos ndërhyjë në katër komunat veriore, të cilat akoma nuk kanë miratuar buxhetin dhe tash janë në bllokadë financiare.

“Kryeministri i Kosovës ka shtruar edhe një herë kërkesën që sa më shpejt të hiqet barrikada mbi urën e lumit Ibër, pastaj ka kërkuar shuarjen e të gjitha strukturave paralele serbe në Kosovë dhe ka theksuar rëndësinë që katër komunat në veri të Kosovës t’i miratojnë buxhetet, sepse tashmë kanë bllokadë financiare. Ai ka kërkuar që praktikisht Serbia të mos ndërhyjë në këtë çështje, në mënyrë që organet komunale të zgjedhura ligjërisht të jenë në gjendje të funksionojnë plotësisht në harmoni me ligjet e Kosovës dhe të jenë në gjendje t;ua japin qytetarëve shërbimet lokale ashtu siç u takojnë”, ka thënë Tahiri.