Jahjaga konsideron “Shok” fitues për tërë Kosovën

Pjesëmarrja e filmit “Shok” për çmimin Oscar, shënoi një sukses shumë të madh për tërë historinë e industrisë së filmit kosovar.

ShowBiz

29/02/2016 11:11

Me tërë historinë e filmit kosovar, kjo ishte hera e parë që Kinematografia Kosovare merr pjesë në një eveniment botëror, lajmi.net.

Edhe pse nuk mori çmim, filmi megjithatë konsiderohet të jetë fitues për tërë Kosovën. Ky nder i madh u nda edhe me ish presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ajo sot shkroi në profilin e saj në Facebook, se kishte përcjellur vazhdimisht ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscar.

“Në orët e hershme të mëngjesit, së bashku me Ambasadorin britanik dhe shumë të rinj të Kosovës, në njërin nga lokalet e kryeqytetit përcollëm ceremoninë e ndarjes së çmimit Oscar. Duke ju falënderuar një ekipi të përkushtuar e të talentuar që në një skenë të tillë dërgoi rrëfimin tonë përmes filmit Shok, për herë të parë në jetën tonë u bëmë pjesë e kësaj ngjarje me jehonë globale. Kishim rrëfim për të ndarë me të tjerët, një vlerë të veçantë për të kontribuar, një ëndërr për ta realizuar. Dëshmuam edhe një herë se kur na jepet mundësia kemi shumë për të ofruar”, shkroi Atifete Jahjaga.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe ka pasur një pëlqyeshmëri të madhe si nga vendasit ashtu edhe nga publiku i huaj. Ish presidentja e Kosovës duket se është ndarë shumë e kënaqur me pjesëmarrjen e filmit në Oscar, gjithashtu me vullnetin e regjisorit dhe artistëve, që dëshmuan që artistët e Kosovës kanë aftësi për të arritur gjëra të mëdha.

“Ky është një sukses i jashtëzakonshëm për kinematografinë kosovare dhe artistët kosovarë. Ju përgëzoj për arritjet e deritashme si komunitet dhe duke qenë dëshmitare e ngazëllimit dhe vullnetit tuaj e di që nuk është larg dita kur do ta sjellim Oscarin në Kosovë”, shtoi Jahjaga./lajmi.net