Jahjaga: Jemi mobilizuar për një proces të rregullt zgjedhor

Presidentja Atifete Jahjaga në një mesazh drejtuar qytetarëve të Kosovës, ka thënë se të gjitha institucionet e shtetit janë mobilizuar për të siguruar një proces të rregullt zgjedhor. 

Lajme

07/06/2014 21:48

Ajo ka thënë se dita e nesërme e votimeve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare është e rëndësishme për Kosovën. 

“Nesër do të jetë një ditë e rëndësishme për Kosovën, kur të gjithë ju, qytetarë të barabartë të këtij vendi, do të vendosni për të ardhmen e shtetit, përmes votës suaj, një e drejtë themelore dhe e garantuar. Nesër, do të vendosni ju qytetarë të Republikës së Kosovës për rrugën e Kosovës në proceset e konsolidimit ndërkombëtar, të integrimeve dhe mbi të gjitha për demokracinë e brendshme të vendit”. 

“Dua t’iu siguroj se do të bëjmë çmos që vota e juaj të mbrohet. Mekanizmat dhe institucionet e Kosovës do të angazhohen fuqishëm që vota e qytetarit të jetë e paprekshme dhe e pacenuar”. 

Ajo siguron se, të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, për organizimin, mbarëvajtjen dhe sigurinë e procesit të zgjedhjeve, më 8 qershor do të jenë të mobilizuara për të garantuar një proces të rregullt dhe të lirë zgjedhor. 

“Zgjedhjet e përgjithshme në vend do të vëzhgohen nga vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë edhe misionin e vëzhguesve të BE-së, që do t’i jap një legjitimitet më të madh këtyre zgjedhjeve. Zgjedhjet komunale të vitit të kaluar kanë vendosur një standard demokratik të cilin duhet ta mbajmë edhe tani”. 

Prandaj, vijoi ajo, zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit, duhet të kenë vulën e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, zgjedhjeve që do të përcaktojnë pjekurinë e shoqërisë sonë si zgjedhje gjithëpërfshirëse, ku secili qytetar në secilën pjesë të vendit të ketë mundësinë që lirshëm ta thotë fjalën e tij.