Jahjaga dhe Mustafa vetëm tre javë për zëvendësimin e Smakajt

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, bashkë me kryeministrin, Isa Mustafa i kanë më pak se tri javë afat për ta gjetur njeriun i cili do ta udhëheqë shërbimin e inteligjent të shtetit. Kjo urgjencë ka ardhur si rrjedhojë e dorëheqjes së Bashkim Smakajt nga posti i drejtorit të AKI-së.

Lajme

17/01/2015 10:18

Me Ligjin për AKI-në, është e përcaktuar që: “Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin, emërojnë së bashku Drejtorin e AKI brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”. Nisur nga fakti që Smakaj ka dhënë dorëheqje me 16 janar, dy liderëve të shtetit u mbetet që më së largu me 5 shkurt ta kenë emëruar shefin e ri të AKI-së.

Deri në atë kohë, AKI-në do e drejtojë zv/drejtori Muharrem Ajeti.

“Zëvendësdrejtori i AKI-së përkohësisht kryen dhe ushtron përgjegjësitë e drejtorit të AKI-së gjatë mungesës apo paaftësisë të drejtorit. Në rast të paaftësisë të përhershme, zëvendësdrejtori i AKI-së kryen dhe ushtron përgjegjësitë e drejtorit të AKI-së deri në kohën kur zëvendësimi i Drejtorit të KIA-s emërohet në mënyrë formale”, thuhet në ligj. /Gazeta Tribuna/