Ja kush ishte Almir Daci

Almir Daci, ish-imami i xhamisë së Leshnicës në Pogradec, i njohur si xhihadisti shqiptar që kërcënoi Ballkanin në vitin 2015, është vrarë në Siri. Lajmi është konfirmuar nga familjarët e Dacit në Leshnicë, të cilët për herë të dytë, kanë hapur derën e mortit në shtëpinë e tyre. Familjarët nuk kanë pranuar të tregojnë shumë gjëra lidhur me lajmin e vrasjes.

Lajme

03/04/2016 22:32

I pyetur për këtë lajm, drejtori i drejtorisë së policisë së Korçës, Ajet Zyberi tha se zyrtarisht nuk kane asnjë informacion për vrasjen ose jo të Dacit, as nga strukturat e specializuara të shtetit. Almir Daci, 33 vjeç, i njohur me emrin e luftës si “Ebu Beliksa”, akuzohet për veprat penale: “Rekrutimi i personave për kryerjen e veprave me qëllime terroriste ose të financimit të terrorizmit” dhe “Nxitje, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e krimeve me qëllime terroriste, nxitje të urrejtjes apo konfliktit nacional, racor apo fetar”.

Para se Daci t’u bashkohej militantëve, ai ishte i njohur në raportet e Shërbimit Inteligjent Shqiptar dhe Drejtorisë së Antiterrorit, si person që më parë rekrutonte të rinj për të luftuar në radhët e ISIS-it. Në janar të 2016-s, prokuroria zbardhi një komunikim të ish-imamit të xhamisë së Leshnicës me dy ish-imamët e xhamisë së Mëzezit lidhur me  rekrutimin dhe nisjen e personave të ndryshëm drejt Sirisë. Biseda me ta për rekrutim të luftëtarëve të ISIS, ishin provat kryesore për akuzat. Në Tiranë ishte hapur procesi gjyqësor ndaj tij, i cili në mungesë të Dacit, shtyhej çdo herë. Daci ishte shpallur në kërkim edhe nga Interpoli, prej dy vitesh.

Almir Daci u bë protagonist i një videoje kërcënuese për shqiptarët në emër të Shtetit Islamik. Në 2015-n, ai propagandonte për t`iu bashkuar luftës për xhihad. Dy prindërit e tij, duke qenë në dijeni të faktit që djali i tyre ishte kthyer në një terrorist në shërbim të organizatës ekstremiste, Shteti Islamik, shpreheshin se djalin e tyre e kishin mashtruar.