Ja kush është Renato Cepa, korçari që Arben Frroku i vodhi identitetin (FOTO)

Ky është Renato Tsepa (Cepa). Me identitetin dhe pasaportën e 49-vjeçarit të lindur në Korçë, lëvizte i lirë në Hollandë Arben Frroku, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisar Dritan Lamaj.

Lajme

01/05/2016 16:41

Në bazë të të dhënave Tsepa i përket minoritetit grek. Ai është i lindur në 15 Nëntor të vitit 1967 dhe është moshatar me Frrokun. Jeton në lagjen numër 3 në Korçë dhe është baba i dy fëmijëve.

Policia është vënë në kërkim të 49-vjeçarit për ta marrë në pyetje nëse ai njihej me Arben Frrokun apo nëse të dhënat e tij janë përdorur nga ndonjë grup falsifikatorësh.

Gjeneralitetet e tij janë identike me ato të shënuara në pasaportën dhe patentën greke të falsifikuara që iu gjetën Frrokut në Amsterdam.

Renato Tsepa rezulton se ka jetuar prej vitesh mes Shqipërisë dhe Greqisë. Të dhënat e siguruara nga Televizioni Klan tregojnë se herën e fundit ai ka hyrë në Shqipëri me 11 Prill të këtij viti, nga pika kufitare e Gorices. Nuk dihet nëse ai ka dalë nga Shqipëria, por burime të policisë thonë se ai nuk është gjetur në banesën e tij dhe se dyshohet të jetë jashtë vendit.

Tsepa rezulton të ketë lëvizje të shpeshta drejt Greqisë e Maqedonisë, vende drejt të cilave ka udhëtuar me dokumente të ndryshëm identiteti, por gjithnjë të lëshuara nga autoritetet shqiptare.

Në asnjë nga hyrje daljet ai nuk është regjistruar me pasaporte greke. Për policinë shqiptare nuk është e qartë nëse ai është i pajisur me një dokument të tillë. Policia e Amsterdamit e kontrolloi pasaportën që iu gjet Arben Frrokut, por përveç faktit që i ishte ndërruar fotografia, ky dokument nuk rezultonte në regjistrin e pasaportave të lëshuara nga autoritetet greke./ Tv Klan/

arben frroku

Renato_Cepa-864x445