Izraeli pranon shkatërrimin e reaktorit të Sirisë në vitin 2007

Ushtria e Izraelit pranoi zyrtarisht se ka shkatërruar një reaktor të dyshuar bërthamor në Siri, në vitin 2007.

Bota

21/03/2018 08:50

Ajo tha se sulmi në rajonin Deir-al-Zour ka zhdukur “kërcënimin për ekzistencën e Izraelit dhe të të gjithë rajonit”.

Sipas ushtrisë izraelite, reaktori ka qenë afër përfundimit.

Për kohë të gjatë është menduar se Izraeli ka qenë përgjegjës, por ai kurrë nuk e ka pranuar deri më tash.

Siria vazhdimisht e ka mohuar se lokacioni i bombarduar ka qenë reaktor bërthamor.

Vendimi i Izraelit për ta bërë publik dhe për ta justifikuar sulmin e një dekade më parë kundër Sirisë vjen pas thirrjeve të vazhdueshme të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për SHBA-në dhe komunitetin ndërkombëtar që të ndërmarrin veprime më të fuqishme kundër Iranit, i cili është aleati më i afërt i presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Netanyahu ka paralajmëruar disa herë se Izraeli nuk do ta lejojë Iranin të zhvillojë armë bërthamore dhe as të ndërtojë fabrika të raketave në Siri që mund të kërcënojnë Izraelin.