Izmaku: U ndjeva si Donika Gërvalla, më injoruan bashkëpartiakët

Deputetja Xhevahire Izmaku sot ishte më e gëzuar se ditëve tjera. Ajo ishte në përurimin e Fabrikës së Ujit në qytetin prej nga vjen, Vushtrria.

Lajme

27/05/2016 21:07

Por, jo gjithçka shkoi mirë në ketë përurim ku prezent ishte edhe kryetari i Kuvendit njëherësh kryetari i partisë së Izmakut, Kadri Veseli.

Organizatorët nuk ia dhanë fjalën deputetes Izmaku, e cila pretendon se e meritonte të mbajë një fjalim. Kjo shkaktoi revoltë tek deputetja e PDK-së.

Ajo madje thotë se sot e ka ndjerë veten sikurse Donika Gërvallla e LDK-së, e cila u tërhoq zvarrë nga sigurimi derisa donte që të merrte pjesë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë së Isa Mustafës.

Për këtë ndjenjë deputetja Izmaku ka folur për KosovaPress ku sqaron edhe reagimin e saj që e ka bërë të ditur edhe nëpërmjet rrjeteve sociale.

“Në të vërtetë sot jam ndier si Donika Gërvalla. Sepse jam injoruar nga bashkëpartiakët e mi në Vushtrri. Mua s’mu dha fjala në këtë përurim që jam angazhuar tash e gjashtë vjet”, tha Izmaku për KosovaPress.

Ajo thotë se ishte fjala e saj që u mundësua lëshimi i fabrikës së Ujit që kishte mbetur për 150 mijë euro.

Por revolta e saj është shprehur për kryetarin e Vushtrrisë Bajram Mulakun dhe kryetarin e degës Kurtan Kajtazin.

“Unë e kam iniciuar para tri dite në seancë dhe kryeministri menjëherë i ka lëshuar mjetet, ndërsa sot kryetari Bajram Mulaku dhe kryetari i degës së PDK-së Kurtan Kajtazi nuk qenë në gjendje të më japin fjalën për këtë angazhim timin”, tha Izmaku.

Fabrika e Ujit në Vushtrri është ndërtuar me mjete të Qeverisë së Kosovës dhe komunës së Vushtrrisë dhe ka kushtuar mbi tetë millionë euro./Kp