Ivanov tërheq pjesërisht amnistinë ndaj politikanëve nën hetim

Presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov mori këtë të premte vendimin për të anuluar amnistimin që u bëri 22 personave, “të cilët janë të gjithë individë aktivë në politikë”.

Lajme

27/05/2016 19:21

“Në pajtim me ligjin për ndryshimin e amnistisë, mora vendimin për të tërhequr faljen, apo ofrimin e imunitetit ndaj hetimeve pa nisur ndonjë procedurë, për të gjithë personat aktivë në politikë, aktualisht 22 të tillë”, tha Ivanov në një adresim përpara kombit të dhënë nga rezidenca presidenciale.

Të gjithë të tjerëve, të cilët u falën më 12 prill në përputhje me ligjin e amnistisë, dhe që mbeten ende “të falur” por që nuk janë aktivë në politikë, u është dhënë mundësia të dorëzojnë kërkesa personale, ku mund të kërkojnë revokimin e faljes së tyre dhe vënien në dispozicion të hetimeve, shton ai.

Sipas presidentit, nuk duhet të ketë më dyshime. “Asnjë politikan nuk është mbi ligjin. Asnjë politikan nuk është i paprekshëm. Përkundrazi, gjithsecili duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tyre”.

Ndryshe nga 12 prilli, sot sipas presidentit ekziston një tjetër realitet në Maqedoni. “Në një kohë kur përballemi me kërcënime të jashtme dhe rreziqe për sigurinë, ne kemi institucione funksionale të afta të përballen me sfidat që na dalin përballë, përfshi krizën e emigrantëve, sidomos kur duhet të jemi të gatshëm për një fluks të ri refugjatësh dhe emigrantësh”, theksoi Ivanov.

Referuar vendimit për amnisti të muajit prill, që sipas presidentit ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin e Amnistisë, Presidenti Ivanov tha se lëvizja e atëhershme ishte bërë “mbi çdo interes të vendit dhe qytetarëve të Republikës së Maqedonisë”.

“Fatkeqësisht, shumë njerëz nuk e kuptuan idenë time, ose ndoshta nuk donin ta kuptonin. Debatet brenda dhe jashtë vendit shkuan tërësisht në drejtim tjetër. Unë u akuzova se doja të mbroja politikanët, të ushtroja një drejtësi përzgjedhëse, apo t’i vendosja politikanët mbi ligjin. Me ndërgjegje të plotë deklaroj se ky nuk ka qenë kurrë qëllimi im”, nënvizoi Presidenti Ivanov.

Megjithatë, ai theksoi më tej se ende beson që vendimi për falje ishte rruga më e mirë e mundshme ndaj krizës politike.

Një total prej 56 individësh u falën nga vendimi i prillit të Ivanovit. /tch