Itali, 4 shqiptarë të vdekur në rrethana misterioze (Foto)

Në pak ditë, nga Italia vijnë të dhënat e katër shtetasve shqiptarë që kanë humbur jetën në rrethana tejet të dyshimta, ndërsa në dy raste janë shënuar dy ngjarje të rënda.

Bota

10/11/2015 20:56

Policia italiane i ka përcjellë të dhënat për ngjarjet për mediet vendase, ndërsa nga Tropoja vijnë edhe sinjalet e një ngjarjeje të pazakontë për familjen Ismajlukaj, ku dy kushërinj kanë humbur jetën në rrethana misterioze.

Njëri ka ndërruar jetë rreth një javë më parë, ndërsa tjetri ka vdekur ditën e djeshme. Policia italiane e ka lënë ngjarjen si një akt, i cili është kryer nga vetë viktimat, ndërsa të dhënat që vijnë nga shqiptarë që jetojnë në vendin e ngjarjes tregojnë një tjetër version për aktin e rëndë, ku dy të rinjtë u dogjën të gjallë në një ambient bastesh sportive.

Ndërsa ditën e djeshme është përcjellë lajmi i kobshëm për familjen e Çelë Ismajlukës, i cili, përveç nipit, humbi edhe të birin, në një provincë në afërsi të Peruxhias policia italiane raporton për dy shqiptarë të vdekur, shkruan shekulli.

Trupat e tyre janë nxjerrë nga një greminë, në të cilën kanë rënë teksa ndiqeshin nga policia. Referuar të dhënave të pakta që janë publikuar ditën e djeshme për këtë rast, mësohet se në mjetin me të cilin djemtë kanë dalë jashtë rruge, ka qenë edhe një i tretë, i cili nuk është gjendur në makinë, por në kërkim të tij janë vënë edhe forcat speciale të policisë italiane. Policia bëri të ditur se viktimat ishin grabitës!

Ngjarja në Liguria

Rreth orës 3 të mëngjesit të ditës së hënë, me 2 nëntor, Albert Jakupaj, Aranit Ismajlukaj dhe Mretjev Ismajlukaj, u tha se tentuan të digjnin një pikë bastesh në sheshin Calvi, në qytezën e Ligurias. Në tentativë e sipër, një nga bidonat me benzinë që do përdoreshin për t’i vënë flakën lokalit, i shpërtheu Albert Jakupajt në duar, duke e lënë atë të vdekur në vend. Ndërkohë u plagos shumë rëndë personi tjetër që gjendej me Aranit Ismajlukaj. Mretjev Ismajlukaj, që sipas autoriteteve italiane kishte rolin e rojës në këtë mision, shpëtoi pa lëndime, por tani po merret në pyetje nga policia.

Sipas dëshmitarëve, “shpërthimi ishte aq i madh, sa që dera e pikës së basteve u gjet afër 40 metra larg”. Pavarësisht të dhënave të para, mediet italiane nuk kanë bërë të ditur asnjë detaj tjetër në lidhje me hetimet e autoriteteve italiane për të mësuar shkakun se përse tre djemtë tentuan të kryenin aktin e rëndë, por bënë me dije se ditën e djeshme ka ndërruar jetë edhe personi që u plagos rëndë në atë akt kriminal.

Versioni tjetër i krimit të rëndë

Sipas të dhënave që vijnë nga Tropoja, mësohet se viktima e djeshme është 29 vjeç, ndërsa personi që ka ndërruar jetë një javë më parë është 19 vjeç. Albert Jakupaj mësohet se është nip në familjen Ismajlukaj dhe gjendej në Liguria bashkë me dajat e tij, Aranitin dhe Mretjevin, edhe ky i fundit po 19 vjeç dhe kushëri i parë i Aranit. Referuar informacioneve që vijnë nga Italia, djemtë nga Tropoja kishin një lavazh të marrë me qira në Liguria dhe punonin aty bashkë edhe me disa shqiptarë të tjerë.

Sipas këtyre të dhënash saktësohet se në fakt ka dyshime që ka qenë dikush i jashtëm që ka hyrë në lokal dhe ka hedhur një bombë, pikërisht në afërsi të vendit ku kanë qenë të vendosur dy shtetasit shqiptarë. Lokali ka qenë i boshatisur në atë moment pasi ka qenë orë e vonë, në të zbardhur, ndërsa Mretjevi mësohet se në momentin e shpërthimit ka qenë në oborr duke pirë cigare. Ai është arrestuar tashmë dhe ende nuk dihet e vërteta e asaj që ka ndodhur.

Pritet që të vijnë trupat e viktimave në Tropojë, ndërsa sipas të dhënave ka dyshime që lokali të mund të jetë djegur edhe nga vetë i zoti. Do të jetë prokuroria italiane që do të hedh dritë mbi shkaqet e ngjarjes së rëndë me dy të vdekur.

Vdekja e “grabitësve”

Policia italiane ka lajmëruar ditën e djeshme se dy shqiptarë të moshës 33dhe 35 vjeç kanë humbur jetën, duke u hedhur në një greminë pas ndjekjes për disa orë nga policia italiane. Ngjarja ka ndodhur në komunën e Civita Castellana në provincën e Viterbos, ndërsa dy shqiptarët njiheshin si autorë të vjedhjeve të ndryshme dhe policia italiane i ka identifikuar falë shenjave të gishtërinjve.

Sipas të dhënave që kanë transmetuar mediet italiane ngjarja ka ndodhur gjatë mbrëmjes së të dielës pasi shqiptarët kishin kryer disa vjedhje në komunën Colle Salomono janë larguar me një automjet të vjedhur muajin e kaluar në qytetin e Peruxhias.

Të ndjekur e të rrethuar nga forcat e policisë italiane, ata kanë braktisur makinën e janë hedhur nga një lartësi e madhe në një greminë. Sipas forcave të rendit në greminë nga kjo lartësi janë hedhur tre persona, por vetëm dy prej tyre, kanë vdekur menjëherë, ndërsa vazhdojnë kërkimet të ndihmuara dhe nga forcat speciale për gjetjen e personit të tretë që udhëtonte me ta.

Sipas të dhënave saktësohet se mjeti i vjedhur nga shqiptarët është hedhur edhe ai në greminë, ndërsa policia italiane ka publikuar ditën e djeshme edhe foto nga nxjerrja e trupave të dy shqiptarëve, që sipas tyre ishin grabitës dhe u hodhën vetë në humnerë për t`i shpëtuar policisë.