Ismaili: Nga janari mjekët do t’i marrin pagat me rritje

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, gjatë vizitës që ka bërë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, ka njoftuar stafin mjekësor se pas miratimit në Kuvend, nga janari i vitit të ardhshëm do t’i marrin pagat me rritje.

Lajme

04/10/2018 13:29

Ismaili në spital ka parë nga afër investimet që janë bërë, duke shtuar se investime të tilla do të ketë edhe  në të ardhmen.

“Pamë disa nga investimet e kapitalit  që janë bërë nga Spitali i Gjilanit qoftë në hemodializë, e cila është një aparaturë e re,  e që është një investim shumë i duhur se dihet është një procedurë e komplikuar. Por po ashtu edhe qoftë në ndriçim të spitalit  në objektet e tjera, e investime të tjera kapitale. Ju tregova se vitin e ardhshëm do të vazhdojmë me investime të tjera të fuqishme kapitale do të kemi një fokus te spitalet e përgjithshme, po ashtu ua kumtova lajmin edhe për rritjen e pagave, e cila ka kaluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Propozimet e Ministrisë së Shëndetësisë presin vendimin final nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që këta mjek të fillojnë të marrin rrogat me rritjet pas kategorizimit të rrogave që nga janari i vitit të ardhshëm. Jemi në një momentum të mirë, qytetari do të sheh investime më të mira dhe personeli mjekësor do të ketë përkrahje më të madhe nga ajo që ka pasur në të kaluarën”.

Nisret Hajrullahu, drejtor i spitalit në Gjilan, tha se angazhimi i ministrit po i inkurajon që të punojnë edhe më shumë.

Hajrullahu derisa tregoi për investimet që janë bërë në spitalin e Gjilanit, tha se përmes tyre janë krijuar kushte normale për punë, raporton EO.

“Kjo vizitë  neve do të na inkurajojë për rezultate ende dhe angazhim edhe më të fuqishëm në realizimin e objektivave tona të cilat janë në interes të qytetarit, gjegjësisht pacientit. Sot ministrit i prezantuam disa investime që janë bërë në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan, të cilat investime janë të dukshme, janë të kapshme, janë kriju kushte normale  dhe për punë gjithashtu, e kemi ndryshu një fizionomi me ndriçimin e oborrit është ndërru komplet, është bërë rinovimi i rrobalarjes me furnizim me makina për larje gjerësisht terje. Pastaj janë bërë investime edhe në shumë objekte tjera. Është bërë një investim në aparaturë e cila diku ka kushtu rreth 70 mijë euro. Për këtë vit kemi përfunduar investimet kapitale, na mbetet angazhimi me tutje që investimet të mos na mungojnë”.

Për të gjitha këto, në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit janë investuar rreth 199 mijë euro.