Ismaili: Masa disiplinore për rreth 200 mjekë, infermierë dhe staf të administratës në QKUK

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka njoftuar për masa të tjera shtesë që janë marrë ndaj personelit mjekësorë dhe stafit të administratës në QKUK, të cilët nuk e kanë respektuar orarin e punës. Bëhet fjalë për rreth 200 personel dhe staf të administratës, të cilët kanë keqpërdorur kartelat hyrëse në punë.

Lajme

09/08/2018 12:39

Ministri  Ismaili ka thënë se janë zhgënjyese ndonjëherë lajmet që vijnë nga spitalet tona, edhe pse bëhet fjalë për një numër të vogël, ku profesionistët shëndetësorë nuk e respektojnë orarin e tyre të punës.

Lexoni postimin e tij të plotë:

Një nga prioritetet e mia kur kam marrë detyrën e Ministrit të Shëndetësisë, përveç blerjes së pajisjeve të reja mjekësore dhe rinovimit të spitaleve e klinikave, ka qenë kthimi i dinjitetit të personelit mjekësor.

Rritjen e pagave për kujdestari tashmë e kemi realizuar, ndërsa po punojmë intensivisht që t’i arrijmë rezultatet më të mira të mundshme që në Ligjin për Paga – profesionistëve tanë shëndetësorë t’u sigurojmë paga meritore.

Ky mision që kemi nisur është për të gjithë, për qytetarët dhe stafin mjekësor. Prandaj, kemi nevojë edhe për bashkëpunimin e tyre.

Janë zhgënjyese ndonjëherë lajmet që vijnë nga spitalet tona, edhe pse bëhet fjalë për një numër të vogël, ku profesionistët shëndetësorë nuk e respektojnë orarin e tyre të punës.

Së fundi, në QKUK, kanë ndodhur keqpërdorime të tjera të kartelave personale për verifikimin në punë. Rreth 200 mjekë, infermierë dhe staf i administratës, i kanë keqpërdorur ato. Të gjithë do të sanksionohen sipas procedurave ligjore në fuqi.

Kemi nisur me QKUK-në dhe do të vazhdojmë me të gjitha institucionet tjera publike shëndetësore për rritjen e disiplinës në punë. Nuk do të ndalemi në misionin për përmirësimin e sektorit shëndetësor. Bashkë mund ta bëjmë këtë.