Ismaili inspekton situatën pas epidemisë së fruthit, apelon për vaksinim

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, ka vizituar sot Klinikën Infektive në Qendrën Klinike universitare të Kosovës (QKUK), pas shpërthimit të rasteve me fruth

Lajme

17/10/2017 18:23

Kreu i MSh-së vizitoi pacientët e shtrirë, së bashku me drejtorin e Klinikës, Hamdi Ramadani. Me këtë rast, ai tha se Ministria e Shëndetësisë është duke mbështetur këtë repart dhe se nga ajo që pa, situata është nën kontroll.

Nga fillimi i epidemisë janë shënuar dy raste të vdekjeve. Por, drejtori Ramadani tha se nuk ka vend për panik.

Nga ana e tij, ministri Ismaili bëri apel te të gjithë qytetarët që të vaksinohen me kohë dhe në këtë mënyrë të shmangin komplikimet shëndetësore.

“Unë sot vizitova Klinikën Infektive, së bashku me personelin, i cili është duke bërë çmos që t’iu përgjigjet nevojave të qytetarëve, si dhe për të treguar se jemi afër qytetarëve. U njoftova se barnat të cilat janë siguruar para dy ditësh nga MSh-ja janë ende në dispozicion. Menaxhmenti i QKUK-së dhe ShSKUK-së do të kenë edhe një kërkesë për Ministrinë e Shëndetësisë që t’iu sjellim prapë barna në rast nevoje dhe ne jemi prapë të gatshëm të bëjmë një gjë të tillë”, tha Ismaili.

“Ju ofruam mbështetje çfarëdo që kanë nevojë, në mënyrë që të përballemi me këtë situatë dhe me këtë gjendje të cilën e kemi. Kemi mjaft pacientë të cilët janë liruar, por kemi pacientë të cilët janë duke u pranuar. Do të mundohemi që me të gjitha kapacitete tona ta përballojmë këtë situatë”.

“Apeloj që fëmijët të vaksinohen, që njerëzit të marrin imunizimin e duhur, në mënyrë që të parandalojnë këto raste dhe të mos na shtohen, në mënyrë që të mos përballemi me situata të vështira”.

“Nga ajo që u njoftova, shumica e njerëzve që janë në gjendje të rëndë, janë për shkak se nuk janë vaksinuar. Është një sinjal shumë i qartë për të gjithë popullatën tonë se duhet vaksinuar, të vaksinojmë fëmijët tanë, në mënyrë që të parandalojnë çfarëdo situate të keqe”.

Drejtori i Klinikës Infektive, Hamdi Ramadani, bëri të ditur se aktualisht në këtë klinikë janë të shtrirë 67 pacientë me fruth. “Deri më sot janë liruar nga spitali 85 raste me fruth, në gjendje të mirë shëndetësore… Brenda pak ditësh pritet që edhe këta që janë të shtrirë të lirohen nga spitali”, tha Ramadani. /EkonomiaOnline