ISIS apel refugjatëve: Kthehuni pas në tokën tuaj!

Vërshimi i emigrantëve drejt Europës ka vënë në lëvizje dhe makinerinë propagandistike të ISIS-it.

Bota

19/09/2015 14:15

Pas publikimit në revistën e tij online “Dabiq” të fotos së vogëlushit trevjeçar Aylan të shtrirë pajetë në brigjet e Turqisë me në krah titullin: “Rreziku i braktisjes së shtëpisë së Islamit”, tani militantët po qarkullojnë në rrjetet e lidhura me grupin xhihadist edhe video ku i ftojnë refugjatët të kthehen në vendet e tyre.

Një nga filmimet, ku besohet të flasë vetë lideri i Shtetit Islamik, Al Bagdadi, i drejtohet të gjithë refugjatëve në “tokat e koalicionit të krishterë” dhe përshkruan odisenë e atyre që trokasin në portat e Europës, raporton TopChannel.

Në të përcillen pamje të emigrantëve të keqtrajtuar e prangosur në shtetet ballkanike si dhe ato të anijeve të shpëtuara në Detin Mesdhe. Përpos kësaj, ISIS-i ka nisur dhe një fushatë në Twitter me hashtagun në gjuhën arabe, ku i fton emigrantët të kthehen mbrapsht.

“Ku po shkoni?! Këtu në kalifatin islamik jetohet shumë mirë, kemi telefon, internet e makina”, dëgjohet të thotë një burrë në një tjetër filmim që qarkullon në internet.

Për të bindur sirianët të mos largohen është krijuar edhe një seri videosh të reja ku refugjatët paralajmërohen mbi zhgënjimet që i presin në shtetet për ku janë nisur.