Ish-zyrtari i SHIK-ut rrëfen planet për eliminimin e ish-kryeministrit

Rikthehet sërish në vëmendje hipoteza e ekzistencës së një plani konkret, që kishte për qëllim eliminimin fizik të kryeministrit Aleksandër Meksi në vitin 1992. Pas intervistës së Izet Haxhisë, i cili pak javë më parë pranoi se ka ekzistuar një skenar për rrëzimin e avionit me të cilin udhëtonte kryeministri Meksi, një tjetër atentat i planifikuar del në dritë.

Lajme

19/04/2016 17:01

Ish-shefi i SHIK-ut në Pogradec e Kavajë në gjysmën e parë të viteve ’90, Andrea Dimushi, në një intervistë për gazetën “Dita” thotë se ka ekzistuar një plan i dytë për eliminimin fizik të Meksit në vitin 1994.

Dimushi thotë se është thirrur në zyrë nga ish-shefi i SHIK-ut në atë kohë, Bashkim Gazidede, i cili i ka kërkuar të kontaktonte me dy persona, të cilët ishin projektuar si atentatorët e Meksit. Ai thotë se në takim kanë asistuar edhe dy persona të tjerë, të cilët janë sot gjallë. Dimushi rrëfen se për atentatin ishin përzgjedhur edhe armët, dy pushkë snajper me precizion të lartë. Ai thotë se vetë Gazidede nuk mund ta jepte kurrë një udhëzim të tillë pa “urdhër nga lart”.

“Çfarë përshtypje ke për Kazazët?”. Më erdhi befas një pyetje nga Bashkimi. “Di që Islami (Lomi-Lom “mashtruesi”, si e thërrisnin me shaka) është pishtar i demokracisë”, iu përgjigja. “Po Eqeremin e njeh?” ishte vazhdimi i Bashkimit. “Po e njoh, i thashë, është djalë i ri, ndonëse me sa jam në dijeni ka pasur dhe probleme me ligjin”. “Besoj shumë se janë djem besnikë”, tha Bashkimi. “Po”, i thashë dhe as që e vija në dyshim besnikërinë e tyre ndaj PD-së. Për atëherë e kam fjalën, se sot PD i ka shpallur armiq”, rrëfen ai bisedën e bërë në zyrën e Gazidedes.

“Fol me kujdes nëse mund të godasin Meksin”, tha Xhahiti. Tek policia e ushtarakët nuk kishin pikë besimi, pasi mund të shfrynte problemi. “Nëse pranojnë, ne u japim itinerarin ditë më parë që të kenë kohë të përgatiten. Me këto armë merru ti t’ua mësosh përdorimin nëse do pranojnë. “Pyeti çfarë kërkojnë në këmbim”, ndërhyri “njeriu me shenjë” që gjer atë çast veç dëgjonte. S’po kuptoja akoma se çfarë donin të arrihej në finale… Të lëndohej apo të vritej?! Po më rrotullohej zyra…

“Ma thoni shqip çfarë duhet të bëjnë?”, pyeta. Ta heqin qafe se s’i duhet askujt “mustaqja”!, ishte përgjigjja…”, tregon Dimushi për gazetën “DITA”.