Ish-kryeministrit të Sllovenisë, Janez Janshës dy vjet burg

Gjykata e Lartë në Lubjanë vërtetoi të hënën dënimin e shkallës së parë ndaj liderit opozitar dhe ish-kryeministrit të Sllovenisë, Janez Jansha, me të cilin ai ishte dënuar me dy vjet burg për arsye të aferës korruptive Patria.

Lajme

28/04/2014 19:34

Dënimet iu vërtetuan edhe të bashkakuzuarve të  Janshës, ish gjeneral-brigadierit të Ushtrisë sllovene, Anton Kwrkoviç, dhe drejtorit të firmës Rotis, Ivan Čërnkoviç, të cilët janë dënuar me nga 22 muaj burg dhe me gjoba monetare.

Sipas aktgjykimit tashmë fuqiplotë, Jansha në vitin 2006, kur ishte kryeministër, nga ndërmjetësit e firmës Patria pranoi premtimin se do të marrë kompensim material në qoftë se kompania finlandeze fiton tenderin për pajisjen e ushtrisë sllovene me autoblinda, punë kjo e vlefshme 278 milionë euro.

Gjatë procesit gjyqësor, Jansha hodhi poshtë të gjitha pohimet e prokurorit, ndërsa aktpadinë e quajti konstrukt politik.

Jansha dhe avokatët e tij paralajmëruan ankimim në Gjykatën Kushtetuese të Sllovenisë, e nëse shihet e nevojshme edhe Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg.

Mediet sllovene shkruajnë se aktgjykimi i i Gjykatës së Lartë ende nuk është ekzekutiv dhe nuk do të thotë shkuarje automatike e Janshës në burg dhe përkujtojnë se ai dhe dy të bashkëpunëtorët e tij të dënuar do të mund të kërkonin vuajte burgimi gjatë të ashtuquajturit vikend-burg, që parashihet për aktgjykimet nën 2 vjet burgim.