Ish-anëtarja e AKA-së, letër Haradinajt: Na fyeve

Pas letrave publike drejtuar kryeministrit Ramush Haradinaj të Lul Rakës e Blerim Rexhës, edhe Mirlinda Batalli, ish-anëtare e Këshilli Shtetëror të Cilësisë (KSHC), bord i cili u shkarkua të hënën nga MASHT-i në bazë të një kërkese të ardhur nga kryeministri Haradinaj, ka dalë me një të tillë.

Lajme

27/09/2017 13:26

Batalli thotë se deklaratat që ish-kolegët e saj të AKA-së i kanë dhënë janë tërësisht të vërteta dhe thotë se i mbështetë në tërësi.

Ndërkaq, ka thënë po ashtu se ndihet e shumë e fyer “për etiketimin tim dhe të gjithë anëtarëve të Këshillit si ‘jo kompetentë, pa kredenciale akademike dhe etike’, meqenëse jam profesoreshë e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe kam përvojë të gjatë në fushën akademike dhe juridike”.

Ky është reagimi i Batallit:

Reagim ndaj vendimit të Ministrit të Arsimit për shkarkimin e gjithë anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC)

Sipas kërkesës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ministri i Arsimit me datën 25.09.2017 shkarkoi të gjithë anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) si dhe u.d. Drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA). Me vëmendje kam përcjellë të gjitha reagimet, deklaratat dhe mbështetjen nga shoqëria civile, ekspertë të fushës së arsimit dhe mediet në lidhje me këtë vendim. Deklaratat dhe qëndrimet e anëtarëve të respektuar të KSHC-së, të kryetarit Prof. Blerim Rexha dhe nën kryetarit Prof. Lul Raka, të cilët kanë dhënë gjitha arsyet e “parregullsive serioze” që kanë ndodhur në Agjenci dy vitet e fundit janë shumë të sakta dhe profesionale dhe si të tilla i mbështes plotësisht. Këshilli ka vepruar si një organ i vërtetë kolegjial dhe gjitha vendimet e KSHC-së kanë qenë unanime, andaj ndajë qëndrimin e njëjtë.

Ndihem shumë e fyer për etiketimin tim dhe të gjithë anëtarëve të Këshillit si “jo kompetentë, pa kredenciale akademike dhe etike”, meqenëse jam profesoreshë e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe kam përvojë të gjatë në fushën akademike dhe juridike. Pavarësisht kësaj,më duhet të them se jam befasuar me arsyetimin shumë të mangët dhe konfuz, prej dy rreshtave, të vendimit të Ministrit të Arsimit, i cili nuk përmban asnjë konstatim të gjendjes faktike dhe juridike. Arsyetimi i tillë për shkarkimin e një Këshilli të pavarur nuk është aspak profesional dhe mbi të gjitha nuk është fare i saktë dhe i argumentuar.

Vendimi në fjalë nuk i referohet fare nenit 7 të Ligjit mbi Arsimin e Lartë Nr. 04/L-037 i cili përcakton se si bëhet emërimi i anëtarëve të KSHC-së si dhe arsyetimin që duhet Ministri i Arsimit ta bëjë në Kuvend nëse kërkon zëvendësimin e një të tretës së anëtarëve të Këshillit për çfarëdo arsye brenda një viti. Jam kureshtare të dijë se si do ta arsyetoj Ministri para Kuvendit shkarkimin e të gjithë anëtarëve të KSHC-së. Për më tepër, do të jem kureshtare të përcjell se si do të bëhet emërimi i anëtarëve të rinj të këtij Këshilli, përfshirë 3 ndërkombëtarë për të funksionalizuar punën e Agjencisë. Besoj se me qëllim të evitimit të “parregullsive serioze” të përbërjes së re të KSHC-së, të gjithë duhet të kujdesemi që ky proces do të bëhet në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi si dhe në përputhje me kërkesat e Kryeministrit për emërimin e anëtarëve me “kompetencë në arsimin e lartë”.

Nuk mund të mos përmend faktin që baza ligjore e vendimit të Ministrit të Arsimit për shkarkimin e anëtarëve të KSHC-së i referohet nenit 8, pikës 1.4., të Ligjit mbi Arsimin e Lartë të Republikës së Kosovës, i cili në fakt nuk ekziston fare, sepse neni 8 i këtij ligji nuk përmban pikën 1.4. dhe për më tepër ky neni referohet bartësve publik të arsimit të lartë! Ky lëshim i madh juridik në një vendim aq serioz sikurse ky për shkarkimin e gjithë anëtarëve të një Këshilli të rëndësisë së veçantë shtetërore në Kosovë, nuk arsyetohet fare dhe lehtësisht mund të jetë objekt i interpretimit juridik para organeve kompetente. Udhëzimin Administrativ Nr. 09/2017 të datës 02.09.2017 të cilit i referohet Ministri në bazën ligjore të këtij vendimi, nuk arrita ta gjej dhe jam mjaft e interesuar të di se çfarë përcakton ky udhëzim që ka shërbyer si bazë ligjore për shkarkimin e anëtarëve të KSHC-së.

Shpreh shqetësimin tim se një vendim i tillë do të zvarris të gjitha procedurat që janë duke u zhvilluar në Agjencinë e Akreditimit, do të ndal progresin e AKA-së në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare, si dhe përkohësisht do të bllokojë plotësisht punën e AKA-së.

Në fund, duke u bazuar në atë që u tha më lartë, konstatoj që baza ligjore e këtij vendimi absolutisht nuk është e saktë, dhe nuk është në përputhje me elementet që duhet t’i ketë një vendim administrativ sipas legjislacionit në fuqi.

Prishtinë, 27.09.2017

Prof. Asoc. Dr. Mirlinda Batalli