Isa Mustafa nis fjalët me Shpendin

Isa Mustafa fillon të merret me Shpend Ahmetin, me të cilin do të përballet në balotazhin e Prishtinës. Thotë se Kandidati i Vetëvendosjes tenton që botën ta ndajë në votë rurale dhe urbane.

Lajme

06/11/2013 11:29

Isa Mustafa ka filluar “luftën” e tij me Shpend Ahmetin, tashmë kur është e qartë se betejën për Prishtinën do ta zhvillojë me të, më 1 dhjetor.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili si Kandidat i kësaj partie për Kryeqytetin nuk ia doli ta fitojë garën me të parën në votimet e 3 nëntorit, ashtu siç kishte pritur, në një postim që ka bërë në llogarinë e tij në Facebook, është marrë me Kandidatin e Vetëvendosjes, Shpend Ahmetin.

Ai ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë për të dhe për LDK’në

“Ju morët një vendim shumë të rëndësishëm për komunat e Kosovës. Respektoj thellë edhe vendimin tuaj për Prishtinën. Ky vendim është vendim i të gjithë qytetarëve të mi.”

“Për fat të keq, kundërkandidati im nga VV tenton që votën ta ndajë në votë rurale dhe urbane, por unë them se vota juaj është votë e qytetarit të Prishtinës, votë që meriton respekt.”

“Në ditët në vijim, deri në mbarimin e balotazhit, qytetarët e Prishtinës do t’i kontaktoj dhe do t’i njoftoj për të gjitha punët që kam bërë gjatë këtij mandati dhe për ato që do t’i bëj në mandatin e ardhshëm”, ka shkruar Isa Mustafa.