Investohen 20 milionë franga për ujësjellësit në rajonin e Gjilanit

Qeveria e Zvicrës dhe ajo e Kosovës, përmes investimeve të përbashkëta, dhe në bashkëpunim të ngushtë me komunat e këtij rajoni do të investojnë 20 milionë franga për ndërtimin e rrjeteve të reja, rehabilitimin e rrjeteve ekzistuese dhe në fusha të tjera për të siguruar ujë të pijes për qytetarët e kësaj ane. 

Lajme

30/09/2014 22:05

si njofton koha.net, në takimin e përbashkët të kryetarëve të komunave të Gjilanit, Kamenicës dhe Parteshit, si dhe udhëheqësit të këtij programi në CDI, Alan Brown, ky i fundit ka konfirmuar dhe elaboruar programin në përgjithësi, duke spikatur bashkëpunimin e domosdoshëm dhe mbështetjen e komunave dhe të Institutit të Shëndetit Publik, me qëllimin që të punojmë nëpërmjet Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidromorava”.

Sipas komunikatës së ndërmarrjes së ujësjellësit rajonal, ky projekt financohet nga qeveria e Kosovës dhe ajo e Zvicrës, dhe kap shumën rreth 20 milionë franga zvicerane.

“Qëllim i këtij takimi është të nisen procedurat për fillimin e projektit për rehabilitimin e ujësjellësve ruralë që ekzistojnë në rajonin e Gjilanit dhe që nuk menaxhohen nga kompania rajonale e ujësjellësit. Ky program implementohet nga DOSH, që është kompani gjermane, dhe CDI organizatë joqeveritare zvicerane. Programi përmban disa aspekte të mbështetjes së sektorit të ujit në Kosovë, ku çështja e parë është ndërtimi i rrjeteve të reja të ujësjellësit në zonat rurale, komponenti i dytë është rehabilitimi i sistemeve ekzistuese dhe i treti është ndërtimi i dy – tri sistemeve për trajtimin e ujërave të zeza”, thuhet në njoftimin e Hidromoravës.

(koha.net)