Investimi në Fondin Zhvillimor (nuk) është i sigurt

Lekë Musa thotë se investimi i mjeteve të Trustit dhe Fondit për Privatizim në Fondin Zhvillimor nuk është i sigurt. Ndërsa, Arian Zeka nga OEAK, investimin e këtyre mjeteve në këtë fond e sheh si të arsyeshëm.

Lajme

07/04/2014 15:22

Njohës të çështjeve ekonomike thonë se investimi i mjeteve të Trustit Pensional dhe Fondit të Privatizimit në  Fondin Zhvillimor për Ndërmarrësi dhe Punësim nuk është i sigurt.

Lekë Musa, njohës i çështjeve ekonomike, thotë se investimi i këtyre mjeteve në fond konsiderohet i pasigurt.

Sipas tij, autoritetet vendore deri më tani nuk kanë treguar aftësi të mira të menaxhimit të parasë publike në Kosovë, shkruan REL.

“Siguria e këtyre mjeteve që do të ktheheshin nuk do të ishte aq e lartë duke pasur parasysh kualitetin e menaxhimit të financave publike që e kemi në Kosovë, praktikat në përgjithësi, sidomos këto të fundit rreth shpenzimeve elektorale për qëllime politike, nuk tregojnë një trend pozitiv apo që kemi një qeveri që përmbush kriteret themelore të menaxhimit të financave publike”,

“Ajo çka duhet të bëjë qeveria është të tregojë saktësisht se ku dhe si do të investohen këto mjete, cili është objektivi i këtij fondi dhe pse duhet të investohen.

“Të na tregojë përse sistemi ekzistues i financimit nëpërmjet sistemit bankar nuk është i mjaftueshëm, çka do të ofrojë interes më të ulët sesa bankat e tanishme dhe pse besohet se ky fond është mënyra drejt zhvillimit” tha Musa për REL.

Mirëpo, Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, investimin e këtyre mjeteve në Fondin Zhvillmor e sheh si të arsyeshëm.

“Qeveria i ka të gjitha mekanizmat e nevojshëm institucional për të garantuar që këto funde të mos humben dhe të mos treten, por natyrisht të mund t’iu kthen kontribuesve të tyre fillestarë, kushdo qofshin ata”, vlerëson Zeka.

“Edhe fondi i privatizimit dhe ai pensional tashmë janë të investuara jashtë vendit, as atje nuk eksiton siguri më e plotë se ato mjete do të kthehen, por megjithatë qeveria e merr përsipër që ato mjete t’iu kthejë kontribuesve të tyre fillestarë, shpresojmë me norma më të larta të fitimit sesa ajo që kontribuojnë”.