Investimet në Brezovicë nisin gjatë verës

Muaji korrik do të jetë koha kur do të nisin Investimet në Brezovicës. Zyrtarët e njësisë për implementimin e këtij projektit, kanë thënë se ky projekt do të realizohet sipas parashikimeve të parapara dhe se gjithçka deri tash e kanë nën kontroll.

Lajme

31/01/2015 15:18

Investimet për projektin e Brezovicës, të cilat kapin vlerën prej 410 milionë euro, do të nisin në muajin korrik ose gusht.

Këshilltari për Marrëdhënie me Publikun, nga Njësia Implementuese e Projektit të Brezovices, Manik Begolli , thotë se kontrata në mes të Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë përzgjedhëse, konzorciumit francezo-andorian, pritet të nënshkruhet gjatë muajit mars.

“Tash për tash gjithçka është nën kontroll, kemi kontakte zyrtare të vazhdueshme me investitorin , investitori e ka parasysh gjithë situatën mirëpo Qeveria e Kosovës së bashku edhe me mbështetësit tjerë është duke bërë çmos që investitorit ti ofroj siguri dhe ambient të përshtatshëm për me i sjell investimet në Kosovës. Deri më tani nuk kemi probleme, shpresojmë që gjithçka do të jetë në rregull”.

“Përafërsisht muaji i bie në korrik ose gusht, që të fillojnë punimet atje . Mirëpo mund të ketë ndonjë ditë më shumë apo më pak, ato janë detaje, po ligjërisht janë 180 ditë shtesë që investitori do ti ketë për dorëzimin e këtyre dokumenteve të nevojshme”, ka  thënë Begolli, për KosovaPress.

Ai ka përsëritur se në periudhën 17 vjeçare kjo kompani do të bëjë investime në vlerë prej 410 milionë euro. Investimet, sipas tij, janë të ndara në tre faza. Në fazën e parë parashihen të investohen 164 milionë euro, në të dytën 154 milionë euro dhe në fazën e fundit 80 milionë euro.

Ndërsa zyrtarët e komunës së Shtërpcës, thonë se komuna do të ndihmojë këtë projekt.

Nënkryetari i Komunës së Shtërpcës, Nikola Kërstiq, për KosovaPress ka thënë se, në bazë të informatave që ai posedon, kontrata ende nuk është nënshkruar. Mirëpo, ai është shprehur i gatshëm t’i ndihmojë pronarit të ri.

“Komuna e Shtërpcës është bashkë me grupin ndërministror i formuar për projektin e Brezovicës dhe  nuk do të pengojë por ka me i ndihmuar pronarit të ri”, ka thënë Kërstiq përmes telefonit.

Ndryshe, projekti i Brezovicës është një nga projektet me investimet më të mëdha në vend, që parasheh të investohen 410 milionë euro për 17 vjetët e ardhshme.