Ilazi: Zbatimi i MSA-së vendimtar për të ardhmen tonë evropiane

Ministria e Integrimeve Europiane pranon se deri më tani rezultatet në përmbushjen e kritereve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit nuk janë të kënaqshme. Megjithatë zyrtarë të kësaj ministrie shprehen se Kosova do të arrijë t'i përmbush këto kritere.

Lajme

27/09/2016 16:04

Ditë më parë Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka publikuar një raport në bazë të cilit del se në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, institucionet kanë arritur që vetëm 27 përqind t’i përmbushin obligimet që kanë marrë për zbatimin e MSA-së.

Ndërsa, zëvendësministri i Integrimeve Europiane, Ramadan Ilazi ka thënë për lajmi.net se rezultatet e para nuk janë të kënaqshme. Ai ka bërë të ditur se gjatë muajit tetor do të finalizohet raporti për monitorimin e MSA-së.

Ilazi po ashtu ka thënë se plotësimi i kritereve të dala nga nënshkrimi i MSA-së janë obligative dhe se Kosova nuk ka opsion tjetër. Ilazi për lajmi.net ka thënë se zbatimi i kësaj marrëveshje është shumë i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të vendit.

Lajmi.net: z. Ilazi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike ditë më par ka publikuar një raport në bazë të cilit del se në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, institucionet  kanë arritur që vetëm 27 përqind  ti përmbushin obligimet që kanë marr për zbatimin e MSA-së?. Si i vlerësoni këto konstatime, a janë reale?

Ilazi: Ministria i Integrimit Evropian, gjatë vitit të kaluar ka hartuar Programin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së dhe ai është miratuar nga Qeveria në dhjetor 2015 dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës në mars 2016. Ky është dokumenti kryesor strategjik nacional për planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e zbatimit të të gjitha reformave të nevojshme deri në negociatat për anëtarësimin në BE dhe më tej.  Programi vendos një kornizë gjithëpërfshirëse të reformave të nevojshme përgjatë periudhës së ardhshme pesëvjeçare (2016-2020) për përmbushjen e obligimeve të MSA-së dhe përfarimin gradual të legjislacionit vendor me acquis-në e BE-së.

Të dhënat e para të nivelit të zbatimit të MSA-së nuk janë të kënaqshme, mirëpo gjatë muajit Tetor ne do të finalizojmë raportin e monitorimit të zbatimit të MSA-së për periudhën Janar-Shtator, dhe do të kemi një fotografi më të qartë se ku qëndrojmë me përmbushjen e obligimeve nga Programi Kombëtar i zbatimit të MSA-së. Sigurisht që monitorimi dhe vlerësimet nga ana e shoqërisë civile i kontribuojnë përpjekjeve tona të përbashkëta për të shtyrë përpara procesin e integrimit evropian dhe unë mirëpres dhe vlerësoj punën që GLPS dhe organizatat e tjera po bëjnë në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Duke ri-konfirmuar synimin e saj për të kontribuar në stabilitetin politik e ekonomik të Evropës Juglindore, Kosova, duke përmbushur detyrimet e saj të marra përsipër në kuadër të Procesit të Stabilizim-Asociimit, përmes këtij programi do të vazhdojë të përmbushë parakushtet politike të përcaktuara nga BE-ja si kritere që do të tregojnë vullnetin e përgatitshmërinë politike të Kosovës për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.

Lajmi.net: Po ashtu është vlerësuar se me këtë trend të përmbushjes së kritereve rrezikohet zbatimi i MSA-së. Sa janë të vendosura institucionet që të kryhen obligimet që dalin për zbatimin  MSA-së?

Ilazi: Hyrja në fuqi e Marrëveshjes për Stabilizim – Asociim, (MSA) padyshim përbën një arritje historike për të ardhmen evropiane të vendit,  si dhe ka rol gjithëpërfshirës në procesin e shtet-ndërtimit dhe zhvillimit tonë të brendshëm ekonomik, politik e shoqëror, prandaj zbatimi i MSA-së duhet të jetë fokusi ynë kryesor. Një marrëveshje e një rëndësie të tillë, shënon avancimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe BE-së, nga marrëdhënie politike në marrëdhënie kontraktuale.

Me 16 shtator Qeveria ka miratuar edhe projekt-rregulloren për funksionimin dhe përfaqësimin e institucioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Strukturat e Stabilizim-Asociimit e cila përcakton funksionimin, përfaqësimin, detyrat dhe përgjegjësitë e institucioneve të Kosovës në kuadër të strukturave të Stabilizim-Asociimit.

Strukturat e Stabilizim Asociimit do të jenë mekanizma institucional që do të shërbejnë për koordinimin, mbikëqyrjen, vlerësimin dhe raportimin e përmbushjes së detyrimeve dhe obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Me 3 tetor pritet të mbahet edhe takimi i parë i Këshillit të Stabilizim Asocimit i cili do të shënoj një pikë kthese në raportet Kosovë-BE

Lajmi.net: A do të mund Kosova që t’i përmbush obligimet që dalin për zbatimin e MSA-së?

Ilazi: Përmbushja e obligimeve që dalin nga MSA-ja është një obligim kontraktual që e kemi, pra nuk është një opsion. Zbatimi i MSA-së duhet të sqarojmë se është një proces dhe parashikohet që zbatimi i kësaj marrëveshje të bëhet brenda 10 viteve. Zbatimi i suksesshëm i MSA-së do të jetë vendimtar për të ardhmen tonë, pasi që nga kjo nga do të varet hapi i ardhshëm i madh, pra fillimi i negociatave të anëtarësimit. MSA kërkon reforma gjithëpërfshirëse të sistemit tonë ekonomik e politik. Përmes reformave dhe harmonizimit të legjislacionit vendor me acquis-në e BE-së, ajo do t’i sjellë Kosovës përfitime shumë të mëdha ekonomike përmes liberalizimit të tregut me atë të Bashkimit Evropian dhe rritjes së konkurrueshmërisë  së ndërmarrjeve. Kjo fazë e re do të kërkojë reformimin e kornizës aktuale të politikave për integrim evropian duke e bërë atë më ambicioze, më gjithëpërfshirëse dhe më të integruar.  Kjo jo vetëm qe do te ngritë të gjitha dimensionet e veçanta të procesit të aderimit në një nivel shumë më të ndërlikuar, kjo fazë do të kërkojë edhe një nivel shumë më të lartë të përgatitshmërisë dhe kapaciteteve institucionale./ lajmi.net.