Ikja nga Kosova: Versioni 2014

Po të bëhej realitet një e dhjeta e premtimeve që janë bërë që prej se Kosova është bërë shtet, sot nuk do t’i kishim dhjetë veta që do të mendonin të iknin nga Kosova.

Lajme

27/11/2014 13:41

Është fundi i vitit, po vijnë festat. Rendi është me i dhënë përparësi gëzimit, lumturisë. Natyrisht, nëse diçka e tillë është e mundur. Këtë e di më së miri Coca Cola. Në kampanjën e rëndomtë për festat e dhjetorit, kjo kompani kësaj here bashkon një familje, tre breza, rreth tryezës. Ata së bashku, e ‘çlirojnë lumturinë’ (porosia kyçe e Coca Cola viteve të fundit). I gëzohen jetës.

Për një jetë më të mirë. Kjo është porosia e të gjitha politikave që kanë parakaluar në historinë e Qytetërimit perëndimor. Ky është mesazhi promocional i çdo fushate parazgjedhore. Ky është çelësi i suksesit apo i dështimit i një Qeverie.

Jeta më e mirë matet fare lehtë: Siguri për të gjithë, Rend dhe Ligj për të tërët, një minimum ekzistencial për krejt qytetarët, një mundësi për të bërë diçka për vete dhe për familjen tënde, poashtu, për të gjithë qytetarët. Natyrisht, edhe kur jemi të barabartë para ligjit dhe shtetit, nuk jemi të tillë para natyrës. Dallimet nuk hiqen kurrë. Por shteti është aty për të shmangur kërcënimin kryesor në një shoqëri: Atë kur humben shpresat, me ka krejt (si thuhet), që gjendja mund të ndryshojë për të mirë. Kur dëshpërimi, si ndjenjë, si orientim, si botëkuptim madje, fuqizohet tek shumica dërrmuese e qytetarëve që janë të nënshtruar nga pafuqia e tyre.

Në dy javët e fundit, pamjet që po i zënë mediat kosovare në shumë anë të vendit, janë po ato të viteve të nëntëdhjeta. Autobusi sërish është bërë mjet transporti, që duhet të shmang dëshpërimin dhe të lë prapa një jetë të keqe, në kërkim të një azili a strehimi në Perëndim, ku ka shpresë për jetë të mirë.

Nuk ka udhëtarë që ia ka mësy për Evropë, i cili nuk e ka të ditur adresën e mbërritjes:  Secili prej tyre ka dikë nga familja më e ngushtë në Perëndim. Rrëfimet e familjarëve krahasohen në bisedat telefonike. Po. Këtu tash jemi shtet. Jemi të lirë. Nuk janë më vitet e nëntëdhjeta. Nuk ka më luftë.

Por këtu, në masë të madhe, nuk ka perspektivë. Evropianët na thonë që Kosova si shtet ka perspektivë evropiane. Dikur. Por qytetarët e rëndomtë të Kosovës, duan ta zënë një jetë më të mirë në shtetin e Kosovës.

Tash. Prej andej, prej perëndimit, prej familjarëve që jetojnë atje, vijnë rrëfime të njohura për të gjithë. Po. Evropa nuk është ajo e viteve të nëntëdhjeta. Nuk ka më strehim politik për shqiptarët e Kosovës. Nuk ka më trajtim të shqiptarëve çfarë ka qenë në fuqi asokohe.

Megjithatë, krahasimi midis Kosovës dhe Perëndimit sot, sërish ka fuqinë e joshjes për ta braktisur vendin, për të ikur prej këtu, për të shkuar kudoqoftë, në Evropë. Ata që largohen prej këtu hynë në borxh, rrezikojnë gjithçka, vetëm për të mbërritë atje ku jetohet më mirë. Sepse këtu, rendi i ndryshimit nuk është.

A është ky përshkrim i saktë? A është teprim? Çka po ndodhë, në të vërtetë kohëve të fundit me kosovarët, të cilët deri vonë për vite me radhë janë shquar si kampionë të optimizmit në Botë?

A mund të ndalet e tëra? A bëjnë punë pamjet nga vend-strehimet e kosovarëve në Hungari apo në Francë, të cilat njëmend janë rrëqethëse? A mund të ndalet kjo mësymje kah Perëndimi, me ndalesat që autobusëve përplot udhëtarë po ua bën Policia e Kosovës? A do të bëjnë punë arrestimet e atyre që janë në krye të rrjeteve të këtij organizimi të bartjes ilegale të kosovarëve?

Vështirë. Ose fare pak. Kjo me siguri është përgjigjja e sinqertë në këto pyetje.

Emigrimi ilegal tash ka marrë përmasat e një epidemie. Shpëtuam, me gjasë, prej Ebolas, por jo edhe prej Emigrimit. Ishte dashur të jetë ndryshe, krejtësisht ndryshe. Apo jo.

Po të bëhej realitet një e dhjeta  (jo më shumë), e premtimeve që janë bërë që prej se Kosova është bërë shtet, sot nuk do t’i kishim dhjetë veta që do të mendonin të largoheshin nga Kosova.

Kaq është puna. Dhe keq është puna.

Me këta autobusë që po synojnë të bartin shumë kosovarë në Evropë, me gjasë, po humbet edhe shpresa që në fund të vitit 2015, kosovarët do ta fitojnë të drejtën e udhëtimit pa viza në Evropë. Kush e di kur do të ndodhë ky liberalizim. Kaq është puna.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)