Igor Sholtes: Dhuna në veri duhet të evitohet

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Igor Sholtes shprehet për DW i shqetësuar thellë me vrasjen e Ivanoviq. Ai fton autoritetet që të evitojnë çdo lloj shkallëzimi të gjendjes.

Lajme

16/01/2018 14:06

Deutsche Welle: Zoti Sholtes, si e komentoni vrasjen e Oliver Ivanoviqit në veri të Kosvoës dhe a keni frikë nga tensionimi i gjendjes në Kosovë?

Igor Sholtes: Së pari dua t’i shpreh ngushëllime familjes. Kjo ngjarje më ka shokuar dhe kjo tregon se stabiliteti në Kosovë mund të jetë problem. Situatat e këtilla mund të rrezikojnë shumë edhe gjendjen e sigurisë. Zoti Ivanoviq ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në proceset e demokratizimit të Kosovës. Kolegët e mi të mëparshëm, që kanë raportuar për Kosovën, janë takuar shumë herë edhe  me zotin Ivanoviq. Ndaj jam shumë i shqetësuar me këtë ngjarje. Ftoj të gjitha insitucionet në Kosovë që menjëherë t’i fillojnë hetimet, që sa më parë t’i gjejnë aktorët e kësaj vrasje dhe t’i nxjerrin para drejtësisë.

DW: Vrasjen e kanë denuar të gjitha autoritetet në Kosovë, ndërsa presidenti i Serbisë Vuçiq ka ftuar një takim urgjent të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Mendoni se situata mund të përkeqësohet dhe të shpërthejë ndonjë konflikt?

Sholtes: Unë shpresoj sinqerisht që kjo ngjarje nuk do të krijojë ndonjë zonë konflikti. Por fakt është që situata e paqës mund të rrënohet shumë shpejt atje. Mendoj se tani duhet të jenë të gjthë të arsyeshëm dhe të dy palët me dialog t’i ulin tensionet. Të dy palët duhet të punojnë instenzivisht në evitimin e dhunës eventuale.

DW: Pak e çuditshme ndoshta, por kjo vrasje ka ndodhur vetëm një ditë pas paralajmërimeve të autoriteteve amerikane që shtetasit amerikanë të kenë kujdes gjatë udhëtimeve në Kosovë, në veçanti në veri. Mendoni se shërbimet sekrete mund të kenë pasur ndonjë informacion për zhvillime të këtilla?

Sholtes: Nëse shërbimet sekrete kanë pasur ndonjë informacion, është dashur të reagojnë menjëherë e jo të presin që fillimisht të ndodhë vrasja dhe më pas të mendohet nëse kanë ditur diçka apo jo. Por tani është me rëndësi që sa më parë të kapen autorët e vrasjes dhe të nxirren para drejtësisë. Sa më parë duhet të zbulohet edhe motivi si dhe sfondi i kësaj vrasjeje, sepse është shumë me rëndësi të dihet se kush e ka porositur këtë vrasje.